Pagat e mjerueshme, mungesa e dinjitetit në punë dhe politika të njëanshme kanë kthyer emigrimin në normë, ndërsa Shqipëria përballet me një krizë të heshtur boshatisjeje
Shqipëria po përjeton një valë të re emigrimi, më të fuqishme dhe më dramatike se kurrë më parë. Të rinjtë po ikin masivisht, jo vetëm për një jetë më të mirë, por për të shpëtuar nga një sistem që i mban të nënvlerësuar dhe të papërfaqësuar. Në vend që të kenë shpresë, të rinjtë në Shqipëri po përballen me paga të ulëta, kushte çnjerëzore pune dhe një klimë politike që favorizon vetëm të pasurit.
Qeveritë e fundit kanë ndërtuar një sistem hibrid mes socializmit të propagandës dhe oligarkisë së faktit. Edhe pse Partia Socialiste pretendon se ndjek politika progresiste, realiteti dëshmon të kundërtën: çdo politikë favorizon biznesin dhe jo qytetarin. Ndërkohë, mbështetja për shtresat e mesme e të varfra është pothuajse inekzistente.
Të dhënat zyrtare janë alarmante. Sipas INSTAT-it, grupi i të rinjve deri në moshën 29 vjeç është tkurrur me 44% në më pak se 13 vite, nga 1.3 milionë në vitin 2011 në vetëm 764 mijë në vitin 2024. Nga ana tjetër, emigracioni neto pas vitit 2020 është dyfishuar në krahasim me periudhën 2015–2020. Vetëm në vitin 2023, u larguan mbi 43 mijë persona.
Kjo tendencë mbështetet edhe nga Eurostat-i, që konfirmon se shqiptarëve u janë dhënë mbi 154 mijë leje qëndrimi në BE në periudhën 2022–2023, pjesa dërrmuese e tyre në moshë të re dhe me kontrata pune. Grupmosha 18–34 vjeç përbën 80% të totalit të emigrantëve shqiptarë. Ky është një eksod që po varfëron Shqipërinë në çdo aspekt.
Ekspertët demografikë si Ilir Gëdeshi paralajmërojnë për një krizë afatgjatë të fuqisë punëtore, produktivitetit dhe sistemit të pensioneve. Nëse qeveria nuk vepron me politika të drejtpërdrejta, vendi do përballet me boshatisje të rrezikshme strukturore, që s’mund të rikuperohet për dekada.
Situata në tregun e punës është në kolaps. Forca aktive e punës po bie, ndërkohë që numri i vendeve të lira në sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi po rritet. Mungesa e stafit nuk lidhet më vetëm me pagat, por me faktin se nuk ka më kandidatë në vend.
Pagat e ulëta nuk të çojnë askund tjetër përveç mbijetesës. Ato nuk mbështesin dinjitetin, as mirëqenien, e aq më pak ndërtimin e një jete normale. Kjo është arsyeja pse edhe profesionistët më të mirë, studentët ekselentë dhe zanatçinjtë po largohen në mënyrë të organizuar. Ata nuk duan më të jenë pjesë e një sistemi që nuk u ofron as shpresë dhe as mundësi.
Rënia e punëtorëve ka shkaktuar një efekt zinxhir në bujqësi. Më shumë se gjysma e të punësuarve në këtë sektor janë mbi 50 vjeç, ndërsa të rinjtë nuk e trashëgojnë më këtë punë. Mungesa e fuqisë punëtore ka çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella dhe rritje të varësisë nga importet ushqimore.
Pasojat janë të dukshme në çmime. Shqipëria ka kaluar për herë të parë mesataren e BE-së për çmimet e ushqimeve në vitin 2024. Por ndryshe nga vendet e tjera, ku të ardhurat janë të larta, në Shqipëri PBB për frymë është vetëm 35% e mesatares së BE-së. Pra, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për të njëjtat produkte, ndërkohë që fitojnë shumë më pak.
Mungesa e subvencioneve dhe rritja e kostove për inputet ka dobësuar konkurrencën e brendshme. Prodhuesit vendas janë të detyruar të rrisin çmimet për të mbijetuar, duke u dorëzuar gradualisht përballë mallrave të importuara, më të lira dhe më të aksesueshme.
Në fund, pasojat janë të thella edhe në bujqësinë familjare. Fermat e vogla po falimentojnë përditë. Numri i kafshëve për mish dhe qumësht është përgjysmuar. Tani, shumë prej atyre që dikur prodhonin për vetëkonsum, janë kthyer në konsumatorë që nxisin importet. Në shumicën e bashkive të vogla, tregjet e fshatarëve janë zhdukur.
Në një vend ku 40% e të ardhurave të një familjeje shpenzohen vetëm për ushqim, nuk mund të ketë të ardhme. Dhe kur të rinjtë shohin se çdo perspektivë është mbyllur, ikin. Ndërkohë, klasa politike e të gjitha krahëve mban një konsensus të heshtur: mos ofro alternativa dhe mos i ndal ata që duan të ikin. Shqipëria po zbrazet në heshtje. Dhe askush nuk shqetësohet.