Dëmtim ‘horror’ në Botërorin e Klubeve, Donnarumma i thyen këmbën Musialës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.07.2025, 01:33

Një ngjarje tronditëse ndodhi gjatë çerekfinales së Botërorit të Klubeve mes Bayern Munich dhe PSG, ku ylli gjerman Jamal Musiala u detyrua të largohej me barrelë pas një dëmtimi të rëndë.

22-vjeçari, një nga talentet më të mëdhenj të futbollit europian, pësoi dëmtimin pak para fundit të pjesës së parë, pas një përplasjeje të fortë me mbrojtësin Willian Pacho dhe portierin Gianluigi Donnarumma, teksa përpiqej të kontrollonte një top të lirë. Musiala ra në tokë duke bërtitur nga dhimbja, ndërsa këmba e tij mori një pozicion të panatyrshëm.

Pamjet ishin të dhimbshme, ndërsa lojtarët e të dyja skuadrave reaguan menjëherë, duke thirrur me urgjencë stafin mjekësor. Donnarumma shpërtheu në lot pas incidentit, ndërsa edhe stafi i PSG tentuan ta qetësonin.

Musiala u largua me barrelë, i shqetësuar dhe me duart në kokë.

Ndeshja ishte pa gola në pjesën e parë, ndërsa Bayern konfirmoi dëmtimin në një postim në “X”: “Jamal Musiala është larguar nga fusha i dëmtuar. Jemi me ty, Jamal!”

Pas ngjarjes, FIFA është vënë sërish në qendër të kritikave, për shkak të kalendarit gjithnjë e më të ngjeshur. Turneu i ri me 32 skuadra, Botërori i Klubeve, është konsideruar nga shumë si një barrë shtesë e panevojshme për lojtarët, duke rritur rrezikun për dëmtime serioze.

Një tifoz shkroi në rrjet:

“Musiala sapo pësoi një dëmtim që duket si fund karriere, në një turne që s’duhej të ekzistonte fare. Çfarë është ky FIFA Club World Cup pas një sezoni të lodhshëm?”

Të tjerë theksojnë se shtimi i ndeshjeve rrit automatikisht dëmtimet. Kritikët thonë se FIFA s’do ndryshojë asgjë, edhe pse rrezikohet shëndeti i futbollistëve.

Edhe ish-trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, e ka cilësuar më parë këtë turne si “ideja më e keqe ndonjëherë në futboll”, duke shtuar: “Ka shumë para në lojë, por turneu nuk është për të gjitha klubet. Vitin e kaluar ishte Europiani dhe Copa America, këtë vit Botërori i Klubeve, vitin tjetër Kupa e Botës. Lojtarët nuk kanë kohë reale për të pushuar as fizikisht, as mendërisht.”

Ndeshja e mbyll me fitoren e PSG me rezultatin 2-0, ku të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, përkatësisht nga Doue në minutën e 78 dhe Dembele në minutat shtesë.

PSG do të përballet në gjysëmfinalen e Botërorit të Klubeve me Real Madrid, pasi këta të fundit mposhtën Dortmund me rezultatin e ngushtë 3-2.

Gjysëmfinalja tjetër do të jetë midis Chelsea dhe brazilianëve të Fluminese.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit