“Drejtuesi i këtij mjeti përplasi një djalë të ri me biçikletë dhe u largua nga vendngjarja”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.07.2025, 00:47

Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e të shtunës në rrugën Myslym Shyri, në Tiranë.

Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, një qytetare dhe familja e saj kanë qenë duke ngrënë në lokal kur një makinë ka kaluar me shpejtësi të frikshme, duke rrezikuar jetën e një kalimtari. Por incidenti nuk u ndal me kaq!

I njëjti mjet, që sipas dëshmitarëve kishte kaluar edhe herë të tjera më parë me shpejtësi në të njëjtin vend, është rikthyer për të disatën herë dhe këtë herë ka përplasur një të ri që po ecte me biçikletë.

Qytetarja tregon për JOQ se të gjithë të pranishmit u afruan për t’i dhënë ndihmë të riut, ndërsa nga makina zbriti një burrë rreth moshës 50-60 vjeç, me flokë gri.

Ai dhe pasagjeri që ndodhej me të, në vend që të prisnin ambulancën, kanë tentuar të lëvizin djalin e lënduar për ta futur në makinë dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të pranishmit, që i kërkuan të mos e lëviznin djalin për shkak të rrezikut për përkeqësim të gjendjes, u kërcënuan dhe u fyen nga shoferi dhe shoku i tij, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte ambulanca. Madje, një nga ta ka pretenduar se ishin "policë", por dëshmitarët dyshojnë se kjo ishte një mënyrë për t’u larguar pa pasoja.

"Ky njeri ka ardhur shumë herë në këtë lagje duke ngarë makinën me shpejtësi dhe rrezikuar kalimtarët. Këtë herë për fat të keq goditi një djalë të ri, por nesër mund të jetë një fëmijë. Edhe motra ime e vogël kalon këtu, dhe ka shumë fëmijë në lagje. Dua që prindërit të kenë kujdes, sepse është bërë shumë e rrezikshme," – shprehet denoncuesja.

Targa e makinës është në dispozicion të redaksisë dhe qytetarët e zonës kërkojnë që autoritetet të marrin masa urgjente për këtë person, që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit