Fatjon Gjonaj, një shtetas shqiptar i identifikuar si drejtuesi i një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Italisë. Ai u arrestua më 3 qershor në Dubai dhe u soll pasditen e së premtes në aeroportin Fiumicino në Romë, ku më pas u transferua menjëherë në burg, në dispozicion të drejtësisë italiane.
Gjonaj ishte në kërkim që prej dhjetorit 2024 dhe identifikimi i tij u bë i mundur përmes një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të rendit. Sipas mediave italiane, autoritetet kishin nisur ndjekjen penale ndaj tij që pas një ngjarjeje të ndodhur në prill të vitit 2019 në Milano, ku u qëllua Enzo Anghinelli. Për atë ngjarje janë dënuar tashmë në shkallë të parë Luca Lucci, si porositës i dyshuar, dhe Daniele Cataldo si autor i atentatit.
Në kuadër të hetimeve për këtë rrjet, autoritetet italiane arrestuan edhe 12 persona të tjerë në periudhën dhjetor 2024 – prill 2025, përfshirë vetë Luca Luccin, i cili tashmë ndodhet në qeli.
Prokuroria italiane dyshon se Gjonaj dhe Lucci kanë qenë bashkëpunëtorë në organizimin e një trafiku masiv droge që vinte nga Spanja dhe Maroku drejt Italisë. Bëhet fjalë për mbi 3.5 ton drogë të llojeve të ndryshme – kryesisht hashash, marijuanë dhe kokainë – të trafikuara përmes rrugëve tokësore, ku mallrat futeshin me kamionë në një magazinë në Inveruno, afër Milanos.
Në një element tejet domethënës, shpërndarja e drogës në Milano bëhej edhe përmes dy punonjësve të një kompanie dërgesash, konkretisht Amazon, të cilët përfitonin nga liria e lëvizjes në terren për të transportuar mallin e paligjshëm pa ngjallur dyshime.
Fitimet e grupit kriminal vlerësohen të kenë qenë marramendëse – deri në 1,000 euro për kilogram hashash, me shifra më të larta për marijuanën dhe kokainën.