Pavarësisht presionit nga gjigantët teknologjikë, Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se nuk do të ketë vonesa në zbatimin e Ligjit për Inteligjencën Artificiale, i cili hyn plotësisht në fuqi në vitin 2026.
Komisioni Europian konfirmoi të premten se nuk do të ketë ndryshime në kalendarin e zbatimit të Ligjit për Inteligjencën Artificiale, pavarësisht kërkesave të shumta nga më shumë se njëqind kompani teknologjike që synojnë të shtyjnë procesin. Reuters raportoi se mes firmave që kanë ushtruar presion janë emra të njohur globalisht si Alphabet, Meta, Mistral AI dhe ASML.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Europian, Thomas Regnier, institucionet janë të vendosura për të ndjekur planin e përcaktuar. “Nuk do të ketë ndalim të orës. Nuk do të ketë periudhë shtyrjeje. Nuk do të ketë asnjë pauzë,” u shpreh Regnier, duke iu përgjigjur kërkesave të industrisë për të vonuar ligjin.
Ligji i ri klasifikon përdorimet e inteligjencës artificiale sipas niveleve të rrezikut. Aplikimet që përbëjnë “rrezik të papranueshëm”, si manipulimi kognitiv ose vlerësimi social, do të ndalohen plotësisht. Ndërkohë, përdorimet me “rrezik të lartë”, si njohja biometrike ose përdorimi në arsim dhe punësim, do të duhet të përmbushin standarde të larta transparence dhe menaxhimi të cilësisë.
Aplikacionet me rrezik të kufizuar, përfshirë chatbot-ët, do të përballen me kërkesa më të lehta, kryesisht në fushën e transparencës. Zhvilluesit që synojnë tregun europian do të duhet të regjistrojnë sistemet e tyre dhe të dokumentojnë mënyrën e trajtimit të rreziqeve.
Zbatimi i Ligjit për Inteligjencën Artificiale nisi në mënyrë të shkallëzuar që nga viti i kaluar. Sipas planit të BE-së, të gjitha dispozitat do të hyjnë në fuqi të plotë deri në mesin e vitit 2026, pavarësisht sfidave dhe kundërshtimeve që vijnë nga industria teknologjike.