Përpjekjet e reja për një armëpushim në Gaza afrojnë më shumë se kurrë një marrëveshje të mundshme

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 05.07.2025, 23:03

Një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit mund të arrihet javën që vjen, pas një propozimi të ri që ka marrë përgjigje pozitive nga të dy palët.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është “optimist” se një marrëveshje armëpushimi në Gaza mund të miratohet brenda javës së ardhshme. Deklarata e tij erdhi pasi Hamasi konfirmoi se kishte dhënë një “përgjigje pozitive” për një marrëveshje të re 60-ditore me Izraelin.

Kjo është hera e parë pas disa muajsh që një zgjidhje diplomatike duket realisht e afërt. Zhvillimet e fundit janë përshpejtuar pas një armëpushimi të arritur mes Izraelit dhe Iranit më 24 qershor, ndërsa shtetet ndërmjetësuese si Katari, Egjipti dhe SHBA-të kanë intensifikuar përpjekjet e tyre. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha se ky moment ka krijuar “një vrull të ri” për negociatat.

Megjithatë, në terren, situata humanitare mbetet alarmante. Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj Gazës në mars, të cilën e zbuti pjesërisht në maj, pas paralajmërimeve se qindra mijëra njerëz rrezikonin urinë. Ndërkohë, sulmet ajrore kanë shkaktuar qindra viktima palestineze vetëm ditët e fundit dhe ndarja e ndihmave humanitare është përballur me dhunë dhe kaos. Iniciativa e diskutueshme amerikane “Gaza Humanitarian Foundation” (GHF), që nisi në fund të majit, ka qenë qendër polemikash.

Në aspektin politik, kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me presion të shtuar brenda vendit. Për herë të parë, ai vendosi publikisht kthimin e pengjeve si prioritet, para qëllimit të mëparshëm për asgjësimin e Hamasit. Ndërkohë, opozita në Izrael ka ofruar bashkëpunim për të siguruar lirimin e pengjeve, një kërkesë që ka mbështetjen e shumicës së opinionit publik izraelit.

Nga ana tjetër, Hamasi ka tri kërkesa kryesore: ndalim të përhershëm të luftës, shpërndarje të ndihmave përmes OKB-së dhe tërheqje izraelite në pozicionet para 2 marsit. Grupi ka deklaruar se është i gatshëm të dorëzojë pengjet brenda një dite, nëse ka garanci ndërkombëtare për fundin e konfliktit. Pengjet mbeten mjeti i tyre kryesor i presionit diplomatik.

Sipas burimeve të afërta me negociatat, marrëveshja parashikon lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla dhe 18 trupave të pajetë gjatë 60 ditëve të armëpushimit. Në ditën e parë, Hamasi do të dorëzojë tetë pengje të gjalla, ndërsa Izraeli do të lirojë të burgosur palestinezë dhe do të tërheqë trupat nga zona të caktuara në veri të Gazës. Menjëherë më pas do të nisin negociatat për një marrëveshje paqeje të përhershme.

Ndërkohë që detajet përfundimtare po rishikohen përmes takimeve të ndërmjetësuara në Doha, pritet që një delegacion izraelit të marrë pjesë në bisedime këtë fundjavë. Një ndër çështjet kyçe që mbetet për t’u zgjidhur është afati dhe mënyra e tërheqjes së ushtrisë izraelite gjatë armëpushimit.

Që prej fillimit të luftës, janë shënuar vetëm nëntë javë armëpushim gjatë 21 muajve. Më shumë se 57 mijë persona janë vrarë në Gaza, përfshirë mbi 17 mijë fëmijë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Marrëveshja aktuale shihet si shansi më i mirë për të ndalur përkohësisht, nëse jo përfundimisht, gjakderdhjen në territorin palestinez.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit