Çeta e qenve i zë pritë të rinjve në mes të rrugës në Peshkopi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.07.2025, 23:24

Në Peshkopi, duket se nuk të zë pritë ndonjë hajdut, as ndonjë grup të rinjsh rebelë… por një çetë qenësh endacakë, të organizuar si repart patrullimi. Siç shihet dhe në pamjet që një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania, ai dhe miqtë e tij, teksa janë duke udhëtuar me makinë, ndalen befas nga një tufe e madhe qensh që u del përpara në rrugë si për t’u kërkuar “leje kalimi”.

Pamja është aq absurde sa duket sikur qenve u mungon vetëm ndonjë bllok rrugor dhe një tabelë “stop, kontroll qensh”. Të gjithë të organizuar, të vendosur, me qëndrim serioz, duket sikur po mbrojnë territorin me krenari. Dhe ndoshta me të drejtë: rrugët janë të tyre, se bashkia i ka braktisur prej kohësh.

Bashkia e Dibrës? Ndoshta është ende duke hartuar ndonjë plan strategjik për vitin 2050, kur të ndërtojë një strehimore virtuale në metaverse. Sepse në terren, realiteti është ky: qentë bredhin të lirë, qytetarët i shmangin si pengesa në videolojë, dhe asnjë masë konkrete nuk është marrë për ta zgjidhur këtë situatë.

Me pak fjalë: në Peshkopi, qytetarët shpresojnë të mos zgjohen natën nga zhurma e qenve, por nga ndonjë ndërgjegje që zgjon bashkinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit