Dija e mbyllur dhe fati i errët i Bibliotekës Kombëtare në Tiranën e sotme

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 05.07.2025, 22:47

Biblioteka Kombëtare po shndërrohet në një simbol të harresës, ndërsa dijet monopolizohen dhe qytetari i zakonshëm përjashtohet nga e drejta për arsim dhe informacion.

Dikur një emblemë e dijes dhe qendër e rëndësishme e edukimit kulturor, Biblioteka Kombëtare sot ngjan më shumë me një relike të braktisur. Pyetja që ngrihet shpesh nga qytetarët është e thjeshtë: “A është ende hapur?” Dhe me të drejtë. Ajo që më parë gjallëronte me lexues e studiues, sot përshkohet nga heshtja dhe harresa.

Pas përmbytjes së viteve të fundit, rikuperimi ka qenë më shumë simbolik se real. Salla të mbyllura, aktivitet minimal dhe mungesë interesi nga autoritetet e bëjnë të duket si një vend në përhumbje. Lexuesit janë larguar, studentët nuk kthehen më, ndërsa i vetmi ritëm që ndjek institucioni është ai i punonjësve që presin pensionin në heshtje.

Kjo gjendje nuk është rastësi. Është një rrjedhojë e një politike të heshtur, por sistematike, për të larguar qytetarin nga dija, nga identiteti, nga historia dhe kultura. Në vend të investimeve në dije të hapur dhe për të gjithë, kemi një monopolizim të informacionit që i shërben vetëm elitave të caktuara dhe agjendave të huaja.

Dikur, në kohën e monizmit, biblioteka luante rol edukativ për të zbutur provincializmin që regjimi solli në Tiranë, pasi kishte zhdukur elitat e vërteta intelektuale. Sot, në një version të zbutur por po aq të dëmshëm të realizmit socialist, ajo është zhveshur nga çdo funksion emancipues.

Qytetari shqiptar sot përballet me një tjetër formë persekutimi – një shtypje ideologjike që mohon të drejtën për arsimim të barabartë, për akses në të dhëna dhe burime kulturore. Kjo nuk është vetëm krizë infrastrukturore, por një krizë e vullnetshme ndaj dijes dhe përhapjes së saj.

Ekspozita e hapur më 28 qershor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare – “Kujtesa e Mesdheut” – është dëshmi se thesaret ekzistojnë, por janë të mbyllura brenda mureve të një institucioni që nuk përçon më dritë. Me mbi 700 vepra origjinale, nga shekujt XIII deri në XIX, ekspozita ruan libra, dorëshkrime dhe harta të jashtëzakonshme, të cilat fatkeqësisht shihen vetëm nga turistët e huaj.

Punonjëset e bibliotekës pohojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve është minimale. Salla që duhet të ishte vendtakim i lexuesve dhe studiuesve, sot është më shumë një galeri për të huajt që kanë ende interes për historinë tonë të harruar.

Ndër këto vepra përmenden autorë të mëdhenj si Homeri, Aristoteli, Herodoti, Ciceroni, Ptolemeu e Straboni. Gjithashtu, koleksionet veneciane, botimet e rralla bizantine dhe dokumentet orientale japin dëshmi për pasurinë kulturore që nuk promovohet më.

Një seksion i veçantë i është kushtuar trashëgimisë shqiptare në Mesdhe, duke nënvizuar rolin e shqiptarëve në ndërveprimin kulturor të rajonit. Këto përfshijnë figura historike, vepra të rralla dhe dokumente që tregojnë për pjesëmarrjen tonë në historinë mesdhetare.

Ekspozita është e ndarë në seksione tematike: nga ndikimi i besimeve monoteiste te kontaktet me Lindjen përmes përkthimeve dhe orientalizmave, nga dëshmitë e udhëtarëve të shekujve të shkuar deri te harta të rralla dhe botime unike si atlasi i Joan Blaeu-t.

Por a mund të quhet sukses një ekspozitë, kur vetë vendi që e strehon nuk i siguron asaj as audiencën dhe as vëmendjen që meriton? Kur shkollat, universitetet, institucionet publike nuk e kthejnë vizitën në Bibliotekë në detyrim kulturor?

Biblioteka do të jetë e hapur deri më 18 korrik, por rrezikon të mbetet një ekspozitë e heshtur, një dëshmi e ftohtë e harresës dhe përjashtimit. Ajo që duhej të ishte shtëpia e dijes, është kthyer në një burg të kujtesës kolektive.

Ky degradim i qëllimshëm nuk është vetëm shkatërrim i një institucioni kulturor. Është dëshmi e një modeli politik që e sheh qytetarin e informuar si kërcënim, dhe dijen e lirë si rrezik për rendin e ngritur mbi manipulim dhe pasivitet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit