Për gati dy vjet, gazetari Ihar Karnei u mbajt në burg në kushte çnjerëzore, për shkak të punës së tij me Radion Evropa e Lirë dhe lidhjeve me një shoqatë të shpallur "ekstremiste".
Ihar Karnei u nis me qetësi për në dyqan, në një mëngjes të zakonshëm të së hënës, pas një fundjave të gëzueshme me familjen në fshat. Por sapo zbriti shkallët e banesës, një oficer i shërbimit sekret bjellorus e priti me një dokument dhe e urdhëroi të rikthehej brenda për kontroll. Prej asaj dite, jeta e gazetarit ndryshoi rrënjësisht.
Pas kontrollit në banesë, Karnei u arrestua dhe u dërgua në paraburgim. Gruaja e tij Ina kujton detajet me saktësi: “Mbaj mend edhe çfarë këmishe kishte veshur. M’u duk si një moment që duhej ta ruaja në kujtesë.” Në fillim iu tha se do të mbahej për 10 ditë, por në të vërtetë ai kaloi afro dy vjet në qeli.
Ai u burgos për lidhje me Shoqatën e Gazetarëve Bjellorusë, të cilën autoritetet e shpallën organizatë ekstremiste. Një nga provat kryesore ishte një formular që kishte plotësuar në vitin 1997 për t’u anëtarësuar në këtë shoqatë. Megjithatë, sipas tij, e vërteta qëndronte te puna e tij për Radion Evropa e Lirë — konkretisht për shërbimin “Svaboda”, që regjimi e akuzon për bashkëpunim me të huajt.
Karnei u mbajt fillimisht në qendrën famëkeqe të paraburgimit Akrestsina në Minsk, në kushte të cilësuara prej tij si çnjerëzore. Në një qeli më pak se 6 metra katrorë u grumbulluan 11 persona. Tualeti ishte i hapur dhe rojet i zgjonin gjatë natës në orare të rastësishme. Ushqimi jepej me nxitim, dhe një lugë alumini u kthye në mjetin e vetëm për të mbijetuar — “nëse e humbje, mbeteshe pa ngrënë”.
Më vonë, ai u dënua me tre vjet burg, dënim që iu shtua me edhe 10 muaj të tjerë. U transferua fillimisht në burgun e Shklousë, ku iu mohua çdo e drejtë për kontakt me familjen apo për të vizituar bibliotekën. Të dënuarit politikë trajtoheshin më keq se kriminelët e zakonshëm. As vizita në kishë nuk lejohej për ta, ndërsa të dënuarit për vrasje e mashtrime kishin këtë të drejtë.
Në Mazyr, ku përfundoi më vonë, kushtet ishin edhe më ekstreme. Shkelje të vogla ndëshkoheshin me izolim dhe dhunë. Karnei përmend një zëvendësdrejtor burgu që e kishte ndjekur që nga gjykimi, si një nga zbatuesit më të egër të represionit.
Në muajt e fundit të qëndrimit në burg, ai u detyrua të shfaqej në një video propagandistike në televizionin shtetëror, ku akuzoheshin gazetarët e Radios Evropa e Lirë për përpjekje për destabilizim të shtetit. “Në ato xhirime më ishin ngrirë gati hundët. Ishte e qartë që gjithçka ndodhte nën presion,” u shpreh ai.
Karnei u lirua në qershor 2025, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që çoi në transferimin e tij në Lituani së bashku me 13 të burgosur të tjerë politikë. Ai tashmë jeton me bashkëshorten Ina dhe katër vajzat, por e ardhmja mbetet e paqartë për shumë të tjerë.
Një prej tyre është gazetari Ihar Losik, i arrestuar pesë vite më parë. Përveç paraqitjes në një video propagandistike, familja nuk ka marrë asnjë informacion për të gjatë dy viteve të fundit. Ndërkohë, më 1 korrik 2025, 1.175 persona vazhdonin të mbaheshin në burgjet bjelloruse për arsye politike, sipas të dhënave të organizatës Vyasna.