Ditën e djeshme një 82-vjeçare u gjobit me 100 mijë lekë nga Bashkia Tiranë sepse ushqente macet e braktisura të rrugës.
Lajmi ishte një shuplakë se arsyeja dhe ndjenja njerëzore në këtë qytet që duket se ka humbur gjithçka, përveç absurditetit... Bashkia Tiranë, përmes Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, kanë vendosur ta quajnë “ndotje akustike” veprimin e zonjës Irini, sikur disa kafshë të uritura që marrin një copë bukë të përbëjnë kërcënim për rendin publik.
Bashkia zgjedh të godasë një grua të moshuar që thjesht ushqen disa mace të braktisura duke e dënuar me ligj si të ishte kriminele.
Është kjo Tirana e katranosur? Një qytet që mbrohet nga një plakë me bukë në dorë, teksa toleron kaosin, rrëmuja që vret çdo gjurmë të qytetarisë apo drejtorët që hanë taksat e popullit të pangopur? Aq të paepur sa nuk lënë as kafshët e rrugëve të hanë një copë bukë...
Zonja Irini ka vendosur të mos dorëzohet dhe e ka çuar çështjen në Gjykatën Administrative. Asnjë ligj nuk ndalon të ndihmosh një kafshë të uritur, aq më pak e cilëson një gjest human si kundërvajtje administrative. Por duket se logjika në këtë qytet nuk është më kriter...
Ironia nuk ndalet me kaq sepse kreu i agjencisë që firmosi këtë gjobë është Arli Naska.
POR KUSH ËSHTË KY OLIGARK SHTETËROR I PANGOPUR QË KAPET EDHE ME MACET E KRYEQYTETIT E S'I LË TË HANË NJË KOTHERE BUKË?!
Arli Naska, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, figuron si një nga zyrtarët me pasurinë më të lartë në stafin e Erion Veliajt. Ai cilësohet si një figurë me një portofol të konsiderueshëm pasuror, i cili në vlerën e tregut llogaritet të kalojë 1 milion euro, ndërkohë që në deklaratat zyrtare të pasurisë arrin rreth 500 mijë euro.
Në emër të tij është një apartament luksoz në rrugën “Sami Frashëri”, pranë ish-Bllokut, me sipërfaqe 166 metra katrorë të blerë në vitin 2022. Po gjatë atij viti, Naska ka blerë edhe një njësi biznesi me vlerë 180 mijë euro dhe sipërfaqe 64 metra katrorë.
Në vitin 2020, bashkëshortja e tij ka blerë një apartament me sipërfaqe 122 metra katrorë në qytetin e Korçës. Ndërkohë në vitin 2018, Naska ka investuar në një apartament në zonën turistike të Radhimës me sipërfaqe 57 metra katrorë, si dhe një garazh prej 22 metrash katrorë.
Arli Naska, që më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, rezulton të jetë një nga emrat më të pasur të administratës lokale, duke ngritur pikëpyetje për burimet dhe mënyrën e krijimit të këtij portofoli pasuror në pak vite.