Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Kurqelaj të Matit, ku katër të rinj kanë ushtruar dhunë ndaj një investitori që po punonte për ndërtimin e një hidrocentrali në zonë.
Policia lokale ka arrestuar H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç dhe L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos, të cilët akuzohen për "Plagosje të lehtë me dashje", "Vetëgjyqësi" dhe "Shkatërrim prone".
Sipas hetimeve, të rinjtë kanë goditur me grushte investitorin 39-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe kanë dëmtuar një nga automjetet e kompanisë që po zhvillonte punimet për hidrocentralin.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të rinjtë i janë afruar investitorit me thirrjet “është uji jonë”, duke shfaqur pakënaqësinë për ndërtimin e hidrocentralit në zonën e tyre.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, ku pritet të merren masat e mëtejshme ligjore. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet mes banorëve dhe investimeve në burimet ujore, një problematikë që është përsëritur në disa zona të vendit.