Një qytetar nga Fieri ka denoncuar një situatë shqetësuese që po ndodh në zemër të qytetit, konkretisht në pedonalen “Muharrem Agolli”.
Sipas tij, aty po ndërtohet një objekt i ri pa asnjë leje të afishuar publikisht nga Bashkia Fier.
Në denoncimin e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, qytetari shprehet se leja e dhënë nga bashkia është thjesht për "riparim çatie", por në terren po ngrihet një ndërtim i ri prej 500 metrash katrorë, me strukturë metali, që sipas tij është planifikuar të shndërrohet në lokal, pikërisht në një zonë ku zhurmat do të jenë të pashmangshme dhe shqetësuese për banorët.
“Shikoni çfarë po ndodh në Fier, në mes të qytetit në pedonalen ‘Muharrem Agolli’. Po ndërtohet pa asnjë leje të bërë publike, as të afishuar nga Bashkia. Leja është dhënë vetëm për riparim çatie, por në realitet po ndërtohet një strukturë e re prej 500m² që do të kthehet në lokal me metal. Zhurma do na lërë pa gjumë! Fillimisht gjoja u pezulluan punimet për një javë, por pas një jave, me miratimin e Bashkisë Fier, ndërtimi ka vazhduar si të mos kishte ndodhur asgjë. Edhe pse Rama doli dje dhe deklaroi se nuk do të lejohen më lokale të tilla, në Fier ndodh e kundërta,” shprehet denoncuesi.
Ky denoncim hedh hije dyshimi mbi transparencën e autoriteteve lokale dhe zbatimin e ligjit në praktikat e ndërtimit në zonat publike. Ndërkohë, banorët shprehen të shqetësuar se ky ndërtim jo vetëm që po bëhet pa asnjë transparencë, por po sjell edhe pasoja të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës së tyre.