Banorët e Fushë-Arrëzit kërkojnë ndalimin e ndotjes nga fabrika e bakrit që ka kthyer lumin në ujë acidik dhe ka dëmtuar tokat bujqësore
Një situatë alarmante mjedisore ka shpërthyer në Fushë-Arrëz, ku fabrika e përpunimit të bakrit “Ber Alb” akuzohet se po shkarkon mbetjet e saj industriale në lumin Fan, pa asnjë filtrim apo kontroll. Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë se uji dhe shtrati i lumit kanë marrë një ngjyrë të errët, tipike për ndotjen nga metale të rënda.
Ndotja nis që në digën e fabrikës, ku mbetjet sterile të bakrit lëshohen në rrjedhën e lumit. Uji që del nga fabrika bashkohet me lumin e pastër, duke transformuar krejtësisht rrjedhën natyrore dhe duke përçuar ndotjen në disa fshatra të Njësisë Administrative Gjegjan.
Lekë Curri, një nga banorët e zonës, tregon se ndotja ka prekur rëndë parcelat bujqësore që ujiten me ujin e lumit. Ai i bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë urgjentisht. “Duhet të ndalen punimet dhe të vendosen filtra. Dëmet janë të mëdha dhe të papërballueshme për fermerët. Shteti nuk mund të heshtë më përballë kësaj shkatërrimi,” u shpreh Curri.
Marte Nikolli, një tjetër banore e zonës, shprehu shqetësimin për ndikimin që kjo ndotje ka mbi shëndetin publik. “Nuk është vetëm bujqësia, por edhe jeta jonë që po vihet në rrezik. Kjo ndotje ndodh prej vitesh dhe askush nuk po vepron,” tha ajo.
Jetmir Qafa, një nga zërat më aktivë të komunitetit, e përshkroi ujin si acidik dhe paralajmëroi se banorët do të nisin padi kundër kompanisë “Ber Alb”. “Kjo ndotje ka shkatërruar çdo mundësi për turizëm dhe bujqësi. Do të hedhim në gjyq kompaninë për të mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar në vendin tonë,” theksoi Qafa.
Ekspertët shprehen se ndotja nuk përmban vetëm bakër, por edhe përbërës të tjerë metalikë si ari, duke e bërë situatën më të ndërlikuar. Pastrimi i mjedisit dhe rikthimi i ekuilibrit ekologjik kërkon investime të mëdha, që deri më tani as kompania dhe as shteti nuk kanë marrë përsipër.
IKMT konfirmoi se “Ber Alb” ishte gjobitur me 10 milionë lekë tre muaj më parë për të njëjtën arsye, por mesa duket, masa nuk ka prodhuar asnjë efekt. Lumi Fan vazhdon të rrjedhë i ndotur, ndërsa heshtja zyrtare mbetet po aq e rëndë sa ndotja vetë.