Një qytetar denoncon një rast shqetësues në lidhje me mënyrën se si po funksionon sistemi i gjobave në Shqipëri. Sipas tij, babai i tij kishte marrë një gjobë prej 300 mijë lekësh për tejkalim të lehtë të shpejtësisë në shtator 2024, por pas 10 muajsh, pa marrë asnjë njoftim me SMS, tashmë gjoba ishte rritur në mbi 450 mijë lekë për shkak të kamatëvonesave. Ky rast ngre pyetje serioze mbi transparencën dhe informimin e qytetarëve, pasi jo të gjithë kontrollojnë përditë portalin e-Albania, ndërkohë që penalizimet shumëfishohen në heshtje.
Për më tepër, qytetari shprehet i indinjuar që, ndonëse para zgjedhjeve pati një deklaratë publike se gjobat e papaguara deri në nëntor 2024 do të faleshin, kjo nuk është zbatuar në praktikë. Ai i bën thirrje autoriteteve për të rishikuar sistemin e informimit dhe për të vendosur mënyra efektive njoftimi për qytetarët, në mënyrë që të mos përballen me penalitete të padrejta dhe të papritura që rëndojnë padrejtësisht buxhetin familjar.
Qytetari:
JOQ përshëndetje! Dua te ngre nje problem rreth sistemit te gjobave. Ne shtator 2024 babi im kishte marre nje gjobe 300 mije leke te vjetra, per tejkalim shpejtësie, as 20 km mbi norme, mbas 10 muajsh une hyje tek e – albania e babit per te shkarkuar nje certfikat dhe e shikoj gjoben, sot gjoba eshtë rritur mbi 450 mi lek te vjetra. Çfare sistemi eshte ky ku nuk njofton me sms ne numer, sepse jo te gjithe hyjne cdo dit tek e-albania. Çdo gje vetem per te vjedhur popullin duke u rritur gjobat me kamat vonesave dhe para zgjedhjeve pati nje njoftim sikur u falen gjobat deri me nentor 2024, dhe nuk eshte aspak e vertet. Ju lutem mund te beni nje status nje thirrje kush drejton policin qe po ven gjoba rresht e njerzit nuk po njoftohen, jo te gjithe hyjn tek e-albania cdo dit, mundesisht mund mos ju duhet fare. Faleminderit!