Laborator për pasaporta false në Tiranë, babë e bir në pranga për trafik dokumentesh drejt SHBA-së dhe BE-së

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 05.07.2025, 11:04

Një rrjet i dyshuar falsifikimi dokumentesh u godit në Tiranë, ku babë e bir dyshohet se prodhonin pasaporta të huaja për kalime të paligjshme drejt SHBA-së dhe vendeve të BE-së

Një laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara u zbulua në Tiranë pas një hetimi të zgjeruar prej shtatë muajsh nga autoritetet. Operacioni policor, i koduar “Identiteti”, u zhvillua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Në pranga kanë rënë dy persona, një 65-vjeçar dhe djali i tij 45 vjeç. Bëhet fjalë për Ylli Brahimajn, aktualisht nën masën “arrest në shtëpi” për përfshirje në një grup kriminal, dhe Pjerin Brahimajn, të cilët dyshohet se drejtonin aktivitetin. Po ashtu, është proceduar penalisht edhe një 62-vjeçar, Sh. L., i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarve, Policia gjeti një hapësirë të përshtatur në formë laboratori, ku dyshohet se prodhoheshin pasaporta dhe dokumente identiteti me të dhëna false. U sekuestruan pajisje të specializuara, vula, karta dhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

Sipas të dhënave hetimore, një pasaportë me identitet të huaj shitej nga 15 deri në 20 mijë euro. Qëllimi kryesor ishte ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se aktiviteti kishte përfshirje të organizuar, me kontakte të mundshme edhe jashtë vendit. Operacioni është konsideruar një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve të trafikimit të dokumenteve false.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për procedura të mëtejshme ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit