Rruga dytësore Farkë–Lundër po dëmtohet dita-ditës nga makinat e tonazhit të rëndë që lëvizin pa kufizim dhe pa kontroll teknik
Rruga dytësore që lidh zonën e Farkës me Lundrën po përjeton një degradim të përshpejtuar për shkak të lëvizjes së vazhdueshme të maunave të mëdha. Banorët lokalë kanë ngritur shqetësime të përsëritura për gjendjen e përkeqësuar të infrastrukturës, e cila po kthehet në një rrezik real për lëvizjen dhe sigurinë.
Kjo rrugë, që shërben si një lidhje alternative për shumë banorë dhe biznese, nuk është projektuar për të përballuar ngarkesa kaq të rënda. Si pasojë, asfaltimi po çahet në disa segmente, trotuaret janë dëmtuar plotësisht, ndërsa gropat dhe plasaritjet janë kthyer në pamje të zakonshme.
"Ja çfarë i kanë bërë maunet e mëdha rrugës së re dytësore Farkë–Lundër dhe gjendja vetëm po përkeqësohet."
"Ju lutem, nëse mundeni, postojeni sepse rruga po prishet çdo dit e më shumë," denoncojnë banorët pranë redaksisë së JOQ.
Mungesa e sinjalistikës dhe kontrollit rrugor po e bën situatën edhe më problematike. Sipas raportimeve të banorëve, çdo ditë shihen automjete të tonazhit të rëndë që kalojnë në këtë aks, duke përshpejtuar prishjen e tij.
Apeli për ndërhyrje urgjente nga autoritetet është i qartë. Banorët kërkojnë që rruga të rivlerësohet për përdorim të kontrolluar, të ndalohet qarkullimi i maunave dhe të ndërhyhet me riparime të qëndrueshme përpara se dëmet të bëhen të parikuperueshme.
Në mungesë të veprimeve konkrete, situata rrezikon të përkeqësohet më tej, duke i ekspozuar banorët jo vetëm ndaj vështirësive në qarkullim, por edhe ndaj rrezikut të aksidenteve dhe izolimit nga pjesa tjetër e qytetit.