Dy të ndaluarit e “Bankers Petroleum” përballen sot me akuzat në Gjykatën e Fierit.
Hong Ping Xiao dhe Leonidha Çobo, të arrestuarit në kuadër të hetimeve për aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, kanë mbërritur sot në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të këtij qyteti.
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se seanca ndaj tyre do të mbahet gjatë ditës së sotme, ku pritet që dy të ndaluarit të japin deklarimet fillestare dhe të njihen zyrtarisht me akuzat që u ngarkohen nga prokuroria.
Të dy emrat ishin në qendër të një operacioni të gjerë kontrolli dhe verifikimi të zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë në Fier, ku u sekuestruan dokumente që dyshohet se përmbajnë të dhëna mbi shkelje të rënda në fushën e menaxhimit të burimeve dhe fondeve.
Prokuroria po heton për një sërë veprash penale, përfshirë abuzimin me detyrën dhe mashtrimin në administrimin e pasurive natyrore. Ndërkohë, dy të arrestuarit konsiderohen figura kyçe në funksionimin e brendshëm të kompanisë ndër vite.
Ky zhvillim ka ngjallur reagim të gjerë në opinionin publik, pasi për herë të parë hetimet po prekin strukturat drejtuese të një prej kompanive më të mëdha që operojnë në sektorin e naftës në vend.
Deri më tani, nuk përjashtohet mundësia e shtrirjes së hetimit edhe mbi persona të tjerë, ndërsa drejtësia pritet të vendosë mbi masën e sigurisë për dy të ndaluarit pas dëshmive dhe provave të paraqitura në seancën e sotme.