Hamasi pranon propozimin e SHBA për armëpushim me Izraelin dhe lirimin e pengjeve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.07.2025, 01:02

Grupi palestinez Hamas deklaroi se i ka dhënë një "përgjigje pozitive" ndërmjetësueve për propozimin më të fundit të armëpushimit në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve, të paraqitur nga SHBA. Në një deklaratë zyrtare, Hamas shtoi se është “seriozisht i gatshëm të hyjë menjëherë në një raund të ri negociatash”.

Një zyrtar i lartë palestinez i përfshirë në bisedime tha për BBC se grupi e ka pranuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por ka kërkuar disa ndryshime kyçe, përfshirë një garanci nga SHBA që luftimet nuk do të rifillojnë nëse dështojnë negociatat për një fund të përhershëm të konfliktit 20-mujor.

Deri tani, nuk ka patur një reagim zyrtar nga Izraeli apo SHBA. Megjithatë, të dyja palët janë treguar të rezervuara ndaj kërkesave të ngjashme në të kaluarën.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se Izraeli e kishte pranuar propozimin për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të zhvilloheshin negociata për t’i dhënë fund luftës. Ai i bëri thirrje Hamasit ta pranojë këtë që e quajti “propozimi përfundimtar”, duke paralajmëruar se “nuk do të ketë ofertë më të mirë”.

Propozimi përfshin lirimin e pjesshëm të 10 pengjeve të gjalla izraelite dhe kthimin e trupave të 18 të tjerëve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë. Më shumë se 50 pengje ndodhen ende në Gaza, ku rreth 20 besohet se janë gjallë.

Marrëveshja parashikon gjithashtu hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza me ndihmën e OKB-së dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Hamas ka kërkuar që ndihmat të shpërndahen vetëm nga OKB dhe partnerët e saj, duke përjashtuar Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF), i cili mbështetet nga Izraeli dhe SHBA.

Një tjetër kusht i Hamasit ka të bëjë me tërheqjen e trupave izraelite. Propozimi amerikan përfshin largimin me faza nga zona të caktuara në veri dhe jug të Gazës, por Hamas këmbëngul që trupat të kthehen në pozicionet para prishjes së armëpushimit në mars.

Megjithëse plani përfshin nisjen e menjëhershme të negociatave për një armëpushim të përhershëm, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se nuk do ta përfundojë luftën pa u liruar të gjitha pengjet dhe pa shkatërruar kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamas raportoi se të paktën 138 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit. Në Khan Younis, të paktën 15 persona humbën jetën gjatë një sulmi mbi tenda ku strehoheshin të zhvendosurit.

Kryqi i Kuq njoftoi se një punonjës i tij në spitalin fushor në Rafah është plagosur nga një plumb qorr, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. MSF (Mjekët pa Kufij) denoncoi vrasjen e një ish-punonjësi të tyre në një sulm ndaj civilëve që prisnin ndihma ushqimore, ku u vranë të paktën 16 vetë sipas dëshmive spitalore.

OKB tha se ka dokumentuar vdekjen e të paktën 509 personave pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave të GHF dhe të 104 të tjerëve pranë karvanëve humanitarë. Organizata akuzon ushtrinë izraelite se ka qëlluar civilë që përpiqeshin të merrnin ndihma. Nga ana tjetër, GHF ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar OKB-në për përhapje të “informacioneve të rreme”.

Në Tel Aviv, familjarët e pengjeve të mbetura protestuan para ambasadës amerikane, duke i bërë thirrje presidentit Trump që të “realizojë marrëveshjen”. Ndër protestuesit ishte edhe babai i ushtarit izraelito-amerikan Itay Chen, i vrarë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe më pas marrë peng.

Ndërsa Netanyahu gjatë një vizite në Kibbutz Nir Oz, prej nga u rrëmbyen 76 banorë, premtoi: “Do t’i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi. Të gjithë.”

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, që prej nisjes së ofensivës izraelite, janë vrarë të paktën 57,268 persona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit