Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik që i mori jetën Diogo Jotës dhe të vëllait

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 04.07.2025, 22:51

Aksidenti automobilistik që i mori jetën Diogo Jotës dhe vëllait të tij ka tronditur botën e sportit dhe ka sjellë reagime të shumta ndërkombëtare.

Pak ditë pas lajmit të kobshëm që preku botën e futbollit, janë zbardhur detaje të reja mbi aksidentin tragjik që i mori jetën yllit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, André Jota. Të dy futbollistët u përplasën me makinë në një segment të rrezikshëm në kufirin mes Spanjës dhe Portugalisë.

Dy vëllezërit po udhëtonin me një automjet luksoz të markës Lamborghini, të marrë me qira, me qëllim që të arrinin në qytetin Santander dhe prej andej të udhëtonin drejt Anglisë me traget. Zgjedhja për të shmangur fluturimin ajror lidhej me shëndetin e Diogos, i cili kohët e fundit kishte kryer një ndërhyrje në mushkëri.

Ngjarja ndodhi në autostradën e Zamorës, në territorin spanjoll. Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet, makina po lëvizte me mbi 120 kilometra në orë dhe doli nga rruga në tentativën për të parakaluar. Mjeti përfundoi duke shpërthyer në flakë, ndërsa hetimet tregojnë se një çarje në gomën e pasme dhe sipërfaqja e dëmtuar e rrugës ishin faktorët kyç që çuan në aksidentin fatal.

Autostrada ku ndodhi tragjedia është raportuar edhe më parë për mungesë mirëmbajtjeje dhe rrezikshmëri të lartë. Vetëm pak ditë para ngjarjes, një grua pësoi dëmtime të rënda në një tjetër aksident në të njëjtin segment, duke nxitur kritika të shumta ndaj autoriteteve për neglizhencën e vazhdueshme.

Reagimet emocionale kanë qenë të menjëhershme. Klubi i Liverpool-it shpalli ditë zie dhe konfirmoi se fanella me numrin 20, që mbahej nga Jota që prej ardhjes së tij në ekip, do të tërhiqet përfundimisht. Ky vendim është një gjest simbolik i dashurisë dhe respektit, i kërkuar gjerësisht nga tifozët.

Homazhe dhe ngushëllime kanë ardhur nga personalitete të futbollit në të gjithë botën. Federatat e futbollit të Portugalisë dhe Anglisë organizuan një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e vëllezërve Jota në ndeshjet e radhës, ndërsa trajnerë, lojtarë dhe klube të shumta kanë shprehur solidaritet me familjen dhe komunitetin sportiv.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit