Zjarri në landfill, protestë dhe shifra marramendëse për një incenerator të fikur

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 04.07.2025, 22:36

Banorët e Elbasanit përballen me ndotje ekstreme dhe kërkojnë hetim për miliona lekë të paguara për një incenerator jashtë funksionit.

Për të katërtën ditë radhazi, tymi i zi që del nga fusha e mbetjeve në Elbasan ka përfshirë zonën, duke sjellë ndotje të rrezikshme për ajrin dhe shëndetin e banorëve. Flakët që kanë kapluar në thellësi landfillin, vazhdojnë të digjen pa ndërprerje, ndërsa askush nuk ndërhyn për t’i shuar.

Në kushte të tilla alarmante, një grup qytetarësh të mbështetur nga shoqëria civile dolën sot në protestë. Me pankarta në duar, ata marshuan nga Prokuroria në drejtim të Bashkisë Elbasan, duke kërkuar përgjegjësi ligjore për zjarrin dhe hetim të plotë për skandalin e mbetjeve.

Banorët e revoltuar kërkojnë që çështja e landfillit të mos mbetet një tjetër skandal i heshtur. Ata theksojnë nevojën për masa konkrete për menaxhimin e mbetjeve dhe ndëshkimin e atyre që për vite me radhë kanë marrë fonde publike pa dhënë shërbime reale.

Në qendër të këtij skandali qëndron kompania “Eco-Alb”, e cila prej vitesh ka përfituar miliarda lekë nga fondet e 8 bashkive të qarkut për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Megjithatë, inceneratori nuk ka funksionuar asnjëherë, ndërsa paratë janë derdhur pa ndërprerje.

Vetëm gjatë viteve 2022, 2023, 2024 dhe pesë muajve të parë të 2025-ës, mbi 4 miliardë lekë janë kaluar nga bashkitë drejt llogarive të “Eco-Alb”. Kryesuesja e pagesave është Bashkia Elbasan me 239 transaksione, që përbëjnë rreth 2.4 miliardë lekë të vjetra.

Bashkitë e tjera, si Gramshi, Librazhdi, Prrenjasi, Cërriku, Belshi, Peqini dhe Rogozhina, kanë realizuar gjithashtu dhjetëra transaksione secila, me vlera që shkojnë nga 187 milionë deri në 308 milionë lekë. Të gjitha këto pagesa janë bërë për një shërbim të cilin kompania nuk e ka kryer në mënyrë të plotë.

Sipas kontratës së firmosur nga administratori i kompanisë Leli Kraja me 8 drejtori juridike të bashkive, parashikohej që kompania të ofronte katër shërbime: pranimin, grumbullimin, trajtimin dhe djegien e mbetjeve. Megjithatë, vetëm tre të parat janë realizuar pjesërisht.

Shërbimi kryesor – incenerimi – nuk është ofruar, për shkak se impianti ka qëndruar i mbyllur për thuajse të gjithë periudhën. Kompania ka pretenduar defekte teknike, por nuk ka dhënë asnjë zgjidhje, ndërkohë që fondet publike janë vazhduar të shpërndahen.

Pavarësisht situatës, reagimi institucional ka qenë minimal. Prokuroria ka nisur hetimet, por deri më tani, ato kanë ecur me ritëm të ngadaltë. Pak ditë më parë janë thirrur disa drejtues juridikë dhe shefa finance nga bashkitë, por vetëm tre janë paraqitur.

Sjellja e zyrtarëve të bashkive ngre dyshime për përpjekje për të mbuluar këtë aferë, ndërsa ndërkohë, landfilli vazhdon të digjet dhe tymi përhapet mbi qytetin. Në vend të përgjigjes, duket se zgjidhja po kërkohet përmes flakëve që shkrumbojnë çdo gjurmë.

Në një kohë kur qytetarët thithin ajër të ndotur dhe protestojnë për shëndetin e tyre, institucionet duket se janë të paralizuara. Zjarri në Elbasan nuk është vetëm një emergjencë mjedisore, por një dëshmi konkrete e abuzimit me fondet publike dhe neglizhencës institucionale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit