Një ngjarje shqetësuese është raportuar këtë të premte në plazhin e Spillesë në Kavajë, ku sipas një qytetari, mungesa e reagimit të shërbimeve emergjente ka vënë në rrezik jetën e një vajze të re. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së një të riu, tragjedia u shmang në sekondat e fundit.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, një vajzë ka humbur ndjenjat në një ambient pranë bregdetit, ndërkohë që persona përreth kanë tentuar të ndihmojnë, por pa rezultat. Situata u përkeqësua shpejt kur vajza filloi të rrezikohej seriozisht, pasi, sipas dëshmitarit, "po i shkonte gjuha poshtë", një situatë e rrezikshme që mund të çojë në mbytje.
Në ato momente, një patrullë e policisë bashkiake ka kaluar pranë vendit të ngjarjes dhe është vënë menjëherë në lëvizje për të kërkuar ndihmë. Por kur kanë mbërritur pranë ambulancës, e cila ndodhej vetëm 50 metra më poshtë, janë njoftuar se nuk kishte ambulancë në dispozicion.
Fati i vajzës ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e një të riu të panjohur, i cili ka vepruar me shpejtësi dhe ka arritur t’i shpëtojë jetën asaj, duke i nxjerrë gjuhën jashtë dhe duke i hapur rrugët e frymëmarrjes. Pasi siguroi që ajo ishte jashtë rrezikut, djali është larguar pa pritur as mirënjohje.
Qytetari që raportoi rastin tha:
“Po e dërgoj këtë mesazh vetëm për një arsye: sepse ai djalë sot shpëtoi një jetë. Po të ishte për urgjencën, vajza do të kishte ndërruar jetë. Ai e bëri dorën copë dhe u largua pa kërkuar as faleminderit. Ai është heroi i ditës!”
Mesazhi i plotë i qytetarit:
Përshëndetje, si kaluat? Doja të dërgoja një shqetësim që pata sot në plazhin e Spilles! Ka ndodhur një incident sot në Spille! Një vajze i ka rënë të fikët edhe në një ambient pune disa persona i janë afruar për ndihmë, por nuk po jepnin rezultat. Gocës po fillonte t'i kalonte gjuha poshtë. Në atë kohë kalon një patrullë policie bashkiake edhe janë vënë në lëvizje direkt, por kur kanë shkuar te ambulanca që ndodhej 50 metra më poshtë, na njoftojnë se nuk kishte ambulancë! Fati i asaj goçe ishte që atë moment ka ndërhyrë një djalë edhe në momentin e fundit e ka shpëtuar vajzën duke i nxjerrë gjuhën jashtë! E dërgoj këtë për të vetmen arsye, sepse ai djali sot shpëtoi një jetë njeriu, se të ishte për urgjencën tonë, vajza do të kishte ikur me kohë! Djali e bëri dorën copë edhe iku pa kërkuar një faleminderit! Ju lutem publikojeni edhe anonim! Një respekt për atë djalë! Heroi i ditës!
Kjo ngjarje ngre edhe njëherë shqetësimet për mungesën e ambulancave funksionale në plazhet publike, sidomos gjatë sezonit turistik, kur rreziku për situata të papritura është i lartë. Autoritetet lokale dhe institucionet përgjegjëse pritet të japin një sqarim lidhur me këtë mungesë thelbësore.
***Fotoja e përdorur në artikull është ilustruese dhe e gjeneruar me anë të Inteligjencës Artificiale.***