Në një rast të pazakontë që ka ngritur diskutime për trajtimin e të moshuarve dhe të drejtave të kafshëve, një 82-vjeçare nga Tirana është ndëshkuar me gjobë prej 10 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës, pasi ushqente macet e rrugës.
E moshuara, Irinia, e cila jeton e vetme dhe ndan përditshmërinë e saj me macet e shtëpisë dhe ato të braktisura, është vënë në shënjestër nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Autoritetet e kanë akuzuar për "ndotje akustike", duke i lënë edhe një urdhër të pazakontë: "Të largojë menjëherë macet".
Por Irinia nuk është dorëzuar. Me mbështetjen e avokates së saj, ajo ka vendosur të sfidojë gjobën në Gjykatën Administrative, duke kërkuar anulimin e saj dhe të drejtën për të vazhduar të kujdeset për kafshët. Në argumentin e saj, thuhet se në asnjë ligj nuk ndalohet mbajtja apo ushqimi i maceve, sidomos kur bëhet fjalë për kafshë që nuk përbëjnë rrezik dhe janë pjesë e jetës së saj.
Gjykata ka marrë tashmë çështjen në shqyrtim dhe pritet të vendosë fillimisht për kërkesën urgjente për të pezulluar pagesën e gjobës, deri në një vendim përfundimtar.
Ky rast ka hapur debat mbi qasjen e institucioneve ndaj qytetarëve të moshuar që ndihmojnë kafshët në nevojë, si dhe mungesën e qartësisë ligjore për raste të tilla. Irinia, që e kalon ditën mes maceve dhe dashurisë së heshtur që ato i japin, nuk kërkon më shumë se të mos i privohet kjo lidhje jetike.