Pesë persona u kapën në flagrancë duke ushtruar veprimtari të paligjshme në liqenin e Komanit dhe në kalatën përreth, duke rrezikuar sigurinë publike dhe shmangur detyrimet fiskale.
Pesë shtetas janë proceduar penalisht në Shkodër pasi u konstatuan duke zhvilluar aktivitete të jashtëligjshme në zonën e liqenit të Komanit, një ndër destinacionet më të vizituara gjatë sezonit veror. Operacioni u zhvillua nga strukturat e hetimit ekonomik dhe financiar të Policisë së Shkodrës, në kuadër të planit operativ të koduar “Komani”.
Sipas të dhënave zyrtare, një prej shtetasve, R. N., 24 vjeç, ushtronte transport turistik me varkë në liqen, pa e regjistruar këtë aktivitet në organet tatimore. Ndërkohë, dy të tjerë, L. M., 36 vjeç dhe E. Q., 50 vjeç, transportonin nga 50 turistë secili pa lëshuar kuponë tatimorë për shërbimin e ofruar.
Gjithashtu, u zbulua se dy shtetas të tjerë, Z. D., 70 vjeç dhe F. D., 48 vjeç, kishin zënë një hapësirë publike pranë liqenit, duke e kthyer atë në parking të paligjshëm me pagesë, pa asnjë miratim apo leje përkatëse.
Të gjithë këta persona janë kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, nën akuzat për ushtrim aktiviteti tregtar të paregjistruar, moslëshim kuponi tatimor dhe fshehje të ardhurash.
Burime nga policia bëjnë me dije se kontrollet në zonat turistike do të vazhdojnë pa ndërprerje me qëllim ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Kjo ndërhyrje vjen si pjesë e përpjekjeve për të frenuar informalitetin dhe për të garantuar që shërbimet turistike në vend të jenë të sigurta dhe të ligjshme.