Shpërthim tragjik në një karburant në Romë, 35 persona të plagosur dhe dëme të shumta materiale

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 04.07.2025, 14:45

Shkon në 35 numri i të plagosurve pas shpërthimit të fuqishëm në një stacion karburanti në lagjen Prenestino të Romës, ndër ta 10 policë dhe një zjarrfikës.

Një shpërthim i fuqishëm tronditi qytetin e Romës në orët e para të së premtes, duke shkaktuar panik dhe dëme të mëdha në lagjen Prenestino, një zonë e populluar në lindje të kryeqytetit italian. Shpërthimi ndodhi në një stacion karburanti ku tregtohej naftë, benzinë dhe gaz i lëngshëm (LPG), dhe zhurma e tij u dëgjua në disa pjesë të qytetit.

Pamjet dramatike të publikuara në rrjetet sociale dhe në media lokale tregojnë një top të madh flake dhe re tymi që ngrihej në qiellin e qytetit. Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi menjëherë pasi një kamion goditi një tub gazi, duke shkaktuar rrjedhje dhe më pas zjarr e shpërthim të menjëhershëm.

Bilanci i të lënduarve është përditësuar në 35 persona, mes tyre edhe punonjës të emergjencave që kishin shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë. Autoritetet konfirmojnë se dhjetë efektivë policie, një zjarrfikës dhe 24 civilë janë në mesin e të plagosurve, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Drejtuesi i karburantit ndodhet mes të lënduarve, ndërsa tre persona janë në spital me djegie të rënda; dy prej tyre janë nën ventilim mekanik. Ekipet mjekësore janë në gatishmëri për trajtimin e rasteve më të rënda ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të incidentit vazhdojnë.

Zjarrfikësit konfirmuan se zjarri është vënë nën kontroll, por flakët prekën edhe një magazinë aty pranë. Dritaret e banesave përreth janë thyer nga vala e shpërthimit dhe banorët raportojnë për dëme të mëdha strukturore në ndërtesat pranë.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, deklaroi nga vendi i ngjarjes se hetimet paraprake sugjerojnë se gjithçka nisi gjatë procesit të furnizimit me gaz të depozitës. Ai shtoi se siguria në karburante do të jetë prioritet në vijim.

Karburanti mbante logon e kompanisë ENI, por vetë grupi energjetik italian ka bërë me dije se nuk e zotëronte këtë stacion. Ndërkohë, një qendër sportive përballë karburantit, ku zhvillohej një kamp veror për fëmijë, u evakuua në kohë dhe fëmijët janë kthyer të sigurt te familjet e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit