Në një ngjarje tronditëse u zbulua pak ditë më parë në fshatin Sheqishte, Patos, ku një baba kishte përdhunuar për 7 vite vajzën e tij të mitur.
36-vjeçari Zamir Meta, i cili akuzohet për abuzim seksual të vajzës së tij 12-vjeçare u vu në pranga. Rasti doli në dritë pak ditë më parë kur vajza u largua nga shtëpia dhe kërkoi strehë tek një fqinje, e cila njoftoi policinë.
Gjatë kohës së abuzimit ai postonte në TikTok video me të bijat duke i përqafuar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Nëna e vajzës, nënë e 7 fëmijëve, rrëfeu me dhimbje se nuk kishte dijeni për abuzimin, i cili dyshohet se ka nisur që kur vajza ishte 5 vjeç. Ajo tregoi se vajza shfaqte sjellje agresive dhe shenja depresioni, por nuk kishte folur kurrë për abuzimin.
“E shihja të irrituar dhe zihej me vëllezërit e motrat, por nuk më kishte thënë asgjë,” tha nëna.
Denoncimi u bë nga vetë e mitura pasi u shoqërua në komisariat. Në prani të një psikologu, ajo rrëfeu abuzimet e përsëritura nga i ati. Aktualisht, vajza ndodhet në Qendrën Rehabilituese “Lilium” në Tiranë për mbështetje psikologjike.
Zamir Meta ka pranuar abuzimin, por pretendon se ka ndodhur vetëm një herë. Nëna, e tronditur nga zbulimi, kërkoi dënimin më të rëndë:
“Kush ia bën këtë fëmijës së vet duhet të kalbet në burg. Do të jem e fortë për fëmijët e mi.”