Me rritjen e ndjeshme të temperaturave gjatë javëve të fundit, plazhi është kthyer në një zgjedhje të natyrshme për shumë qytetarë që kërkojnë të gjejnë pak freski dhe qetësi pranë detit.
Pushues të shumtë po shfrytëzojnë ditët e lira për të kaluar kohë me familjen apo miqtë në bregdet. Por për fat të keq, çështja e sigurisë në plazhe mbetet ende problematike dhe shqetësuese.
Një ngjarje e rrezikshme është raportuar sot në plazhin e Borshit, ku një skaf është futur deri në vijën e bregut, shumë pranë zonës së pushuesve dhe fëmijëve që po notonin.
Sipas një qytetari që ka dërguar pamjet e ngjarjes, skafi është afruar pa asnjë paralajmërim për të marrë disa persona, duke shkaktuar panik te të pranishmit.
“Pershendetje! Sot ne plazhin e Borshit pertej cdo lloj sigurije per pushuesit, vjen skafi deri ne breg ku bregu ishte i mbushur plot me femije. Ajo pjesa kur ndahen lokalet ishte pak e hapur tek tapat në fund. Kishte shume femij qe po notonin aty afër,” shkruan denoncuesi.
Ky incident rikthen në vëmendje domosdoshmërinë për masa të rrepta sigurie në plazhet tona dhe për forcimin e kontrollit ndaj mjeteve lundruese që futen në zona të ndaluara.
Veprime të tilla përbëjnë rrezik të madh për jetën e pushuesve dhe nuk mund të tolerohen. Autorët duhet të përballen me pasojat ligjore për shkelje të sigurisë publike.