Lagje e transformuar në beton: banorët e Astirit në alarm për mungesën e stolave për fëmijët

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 04.07.2025, 11:08

Banorët e një lagjeje në Astir denoncojnë transformimin e një hapësire publike në zonë të pashfrytëzueshme, duke penguar fëmijët dhe të moshuarit të kalojnë kohën në ambiente të përshtatshme dhe të sigurta.

Një banor i zonës së Astirit ngre shqetësimin për mënyrën se si administratori i një pallati ka shkatërruar një hapësirë të përbashkët, duke e shndërruar në një ambient të ftohtë dhe të papërshtatshëm për komunitetin. Në vend të stolave që dikur shërbenin për pushimin e të moshuarve apo lojërat e fëmijëve, tani janë vendosur blloqe të mëdha betoni, që jo vetëm pengojnë lëvizjen, por krijojnë edhe rrezik potencial për sigurinë.

Sipas denoncuesit, janë hequr edhe pllakat e vendosura më herët, me qëllim të qartë për të mos lejuar më fëmijët të luajnë në atë zonë. Në vend të një hapësire komunitare të jetueshme, tani përballemi me një peizazh gri dhe të papërshtatshëm.

Një foto e dërguar së bashku me denoncimin tregon përmasat absurde të një "luleje dekorative" që, në vend të sjellë gjallëri, kthehet në burim rreziku për fëmijët. Ajo duket se ka zënë vendin e një pjese të konsiderueshme të hapësirës, duke shtuar më tej kufizimet për lojërat apo ecjet.

"Pershëndetje, si jeni? Dua të ngre një shqetësim për një lagje në Astir, ku administratori i pallatit e ka kthyer vendin në 'xhungël'. Ka hequr stolat ku uleshin të moshuarit dhe fëmijët, dhe i ka zëvendësuar me blloqe betoni, vetëm që fëmijët të mos luajnë. Siç edhe shihet, është bërë edhe heqja e pllakave, e gjitha me qëllim që fëmijët të mos kenë më ku të luajnë. Në foton e bashkangjitur shihet përmasat e gjoja 'lules së bukur' dhe se çfarë rreziku mund t’i kanoset fëmijëve që luajnë aty – me çfarë nuk po dëgjojmë dhe shohim! Gjynah, si për fëmijët, ashtu edhe për të moshuarit që dalin për të bërë ecje. Ju lutem, postojeni që të merren masa sa më parë dhe të kthehet vendi siç ka qenë më parë, me stola dhe hapësirë që fëmijët të kenë ku të luajnë."

Ky ndryshim ka krijuar një boshllëk për të moshuarit, të cilët tashmë nuk kanë më ku të pushojnë gjatë ecjeve të përditshme, si dhe për fëmijët që mbeten pa një vend të sigurt për të kaluar kohën e lirë jashtë.

Banorët kërkojnë që ky problem të bëhet publik dhe që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë sa më parë. Qëllimi është i qartë: të rikthehet hapësira ashtu siç ishte më parë, me stola dhe një ambient të përshtatshëm për banorët e të gjitha moshave.

Apeli është i drejtë dhe urgjent: lagjet e qytetit nuk mund të shndërrohen në barriera betoni që përjashtojnë banorët e vet. Nevojiten zgjidhje që vendosin komunitetin në qendër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit