Banorët e lagjes 18 Tetori në Lushnjë ankohen për mungesën e pastrimit të kazanit të vetëm të mbeturinave, i cili nuk është zbrazur që pas zgjedhjeve.
Prej disa javësh, banorët e lagjes 18 Tetori, pranë zonës së thertores në Lushnjë, përballen me një situatë të rënduar higjieno-sanitare. I vetmi kazan që shërben për të gjithë lagjen është tejmbushur me mbeturina dhe nuk është pastruar që prej përfundimit të procesit zgjedhor.
Sasia e plehrave është shtuar dita-ditës, duke kthyer zonën përreth në një burim të hapur ndotjeje. Era e rëndë dhe insektet kanë bërë që banorët të mos ndihen të sigurt as në shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre shprehen të shqetësuar për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve.
“Një kosh kanë lënë për tërë lagjen 18 tetori tek thertorja dhe nuk është pastruar që pas votimeve,”shprehen banorët.
Fajin për këtë situatë, banorët ia vënë mungesës së vëmendjes nga institucionet pas përfundimit të zgjedhjeve. Ata thonë se përpara votimeve kishte pastrim të rregullt, por më pas shërbimi u ndërpre plotësisht.
Në mungesë të një reagimi konkret nga bashkia apo ndërmarrjet e pastrimit, qytetarët i frikësohen përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, sidomos në vapën përvëluese të verës, ku rreziku për përhapje sëmundjesh është më i lartë.
Banorët kërkojnë që situata të zgjidhet sa më parë dhe kërkojnë një ndërhyrje urgjente për pastrimin e kazanit ekzistues dhe vendosjen e më shumë kontejnerëve në lagje.