Zonja bërtiste në mënyrë të papërmbajtur, punonjësit thirreshin si në repart ushtarak dhe trajtoheshin me fjalor përçmues
Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese është regjistruar pranë njërës prej pikave të KFC-së në zonën e Bllokut në Tiranë. Qytetarë që ndodheshin aty afër u bënë dëshmitarë të një episodi të papranueshëm, ku menaxherja e njësisë po bërtiste në mënyrë agresive ndaj stafit.
Sipas dëshmitarëve, zonja në fjalë ka ngritur zërin aq shumë, sa që kalimtarët dhe klientët u ndjenë të shqetësuar dhe të tensionuar. Ata tregojnë se stafi u thirr me tone urdhëruese dhe u fut në zyrë në mënyrë që ngjasonte me një skenë disiplinimi ushtarak.
“Përshëndetje, jemi te KFC në Bllok dhe iu afruam zyrës të trembur nga të bërtiturat.Është tmerr se si mund të trajtohet stafi kështu. Zonja po bërtiste aq shumë dhe u ndjemë shumë jo rehat.”
“I pamë të futen në dhomë si në ushtri. Menaxherja BËRTET: "Ju të tre në zyrë!" dhe pastaj biseda me këto tone.”
“Është shumë e trishtuar mënyra se si trajtohen punëtorët – edhe sikur të jenë në faj, askush nuk ka të drejtë t’u flasë kështu.”
Ngjarja ka ngritur shqetësime për mënyrën se si trajtohen punonjësit në ambiente të tilla pune. Pavarësisht nëse ka ndodhur një gabim nga ana e stafit, askush nuk duhet të përjetojë një trajtim të tillë, i cili shkel jo vetëm normat e etikës, por edhe të dinjitetit njerëzor.
Kjo situatë rikthen në vëmendje mungesën e kulturës së drejtimit në disa biznese dhe nevojën për standarde më të larta në trajtimin e stafit, sidomos në sektorin e shërbimit, ku stresi është i pranishëm çdo ditë.
Klientët që panë këtë episod e përshkruajnë atë si një moment aspak dinjitoz, që nuk i bën nder një kompanie të këtij niveli. Ata shprehin zhgënjim për atë që përjetuan dhe i bëjnë thirrje drejtuesve të marrin masa për të ndaluar praktika të tilla abuzive.
Në mungesë të një reagimi zyrtar, ngjarje të tilla mbeten si sinjal i fortë për autoritetet dhe për shoqërinë që të mos heshtin përballë abuzimeve të brendshme në vendin e punës.