Zjarr në mbetjet pranë kishës në Rrashbull, banorët të shqetësuar nga ndotja e ajrit

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 04.07.2025, 10:20

Në Rrashbull të Durrësit, mbetjet digjen çdo natë nga punëtorë pastrimi, ndërsa askush nuk i mbledh, duke rrezikuar shëndetin e banorëve përreth

Banorët e fshatit Rrashbull në qytetin e Durrësit po përballen me një situatë shqetësuese pranë mbikalimit të kishës. Sipas denoncimeve nga terreni, mbeturinat që grumbullohen në këtë zonë nuk pastrohen, por u vihet zjarri nga punëtorë pastrimi, në vend që të mblidhen dhe transportohen.

Kjo praktikë ka shkaktuar një ndotje të rëndë ajri, sidomos në orët e natës kur tymi përhapet gjerësisht nëpër banesa. Banorët shprehen se nuk arrijnë të mbajnë dritaret hapur, për shkak të erës së rëndë dhe tymit që përhapet në ajër.

“Në qytetin e Durrësit, në fshatin Rrashbull, te mbikalimi i kishës, mbeturinave u vihet zjarr nga punëtorët e pastrimit dhe nuk vijnë t’i mbledhin. Po na mbysin çdo natë, nuk po mundem të lë dritaret hapur nga tymi.”

Shqetësimi i komunitetit lidhet jo vetëm me ndotjen mjedisore, por edhe me rrezikun për shëndetin publik. Djegia e mbetjeve urbane, veçanërisht në mjedise të hapura dhe pranë zonave të banuara, çliron substanca toksike që mund të shkaktojnë probleme të rënda respiratore.

Në këtë zonë nuk është vërejtur asnjë ndërhyrje për pastrimin e mbetjeve apo për ndalimin e praktikës së djegies. Përkundrazi, situata përsëritet natë pas nate, pa asnjë reagim nga autoritetet vendore.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për ndalimin e kësaj praktike, si dhe organizimin e një sistemi të rregullt të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve. Në të kundërt, ndotja dhe rreziku shëndetësor pritet të përshkallëzohen më tej.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit