Një zjarr i madh ka përfshirë sonte një objekt në zonën industriale të Prishtinës, ku ndodhet zyra e kompanisë IPKO, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, tha se zjarri ka shpërthyer rreth orës 20:00 dhe se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe zjarrfikësit.
“Sipas informacioneve fillestare, dëmet janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes policia ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit,” ka deklaruar Borovci. Zjarri ka shkaktuar edhe tym të dendur që është përhapur në një pjesë të madhe të zonës.