Presidentja Osmani: Konstituimi i Kuvendit është detyrim brenda 30 ditëve, jo opsion

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.07.2025, 22:41

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takime konsultative me liderët e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT, në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur ngërçin institucional dhe për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.

Takimet e sotme pasuan ato të djeshmet me liderët e partive më të mëdha shqiptare, ku tema kryesore mbetet konstituimi i Kuvendit, i cili ende nuk ka arritur të bëhet për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Presidentja ritheksoi se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga seanca konstituive, duke paralajmëruar se vonesat po krijojnë vakuum institucional dhe dëmtojnë demokracinë në vend.

“Në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, është e domosdoshme që brenda afatit të përcaktuar të gjendet rrugëdalje për konstituimin e Kuvendit,” deklaroi Osmani.

Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me takime konsultative me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend për të gjetur zgjidhje.

Ndërkohë, sot u mbajt edhe seanca e 41-të e Kuvendit të Kosovës, ku sërish dështoi formimi i Komisionit për Votim të Fshehtë, për të cilin po insiston Lëvizja Vetëvendosje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit