Flakët përfshijnë Kretën juglindore, ndërsa mbi 1,500 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe strukturat turistike
Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në ishullin e Kretës në Greqi, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime masive në zonën e Ierapetrës. Më shumë se 230 zjarrfikës dhe dhjetëra mjete tokësore e ajrore janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, të cilat po përhapen me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Zjarri ka nisur pasditen e së mërkurës, në një periudhë kur temperaturat janë 3 deri në 5 gradë Celsius mbi mesataren sezonale dhe erërat arrijnë deri në 80 kilometra në orë. Këto kushte e kanë bërë përballjen me flakët të vështirë dhe shumë të rrezikshme.
Zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, shefi Vasilios Vathrakoyannis, deklaroi se "dalin vatra të reja në mënyrë të vazhdueshme, çka e bën punën e zjarrfikësve shumë të vështirë." Flakët kanë përfshirë jo vetëm banesa, por edhe hotele dhe struktura turistike të mbushura me pushues.
Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e menjëhershëm të katër vendbanimeve, duke udhëzuar banorët dhe turistët të zhvendosen drejt qytetit të Ierapetrës. Sipas raportimeve nga televizioni publik ERT, mbi 1,500 persona janë evakuuar deri më tani.
Bashkia e Ierapetrës ka përshtatur një qendër stërvitore në një strehë emergjente, ku qindra njerëz kanë kaluar natën e mërkurë të strehuar, pasi lanë pas shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut nga flakët.
Në ndihmë të operacionit janë angazhuar edhe forcat e policisë, shërbimet mjekësore dhe roja bregdetare, duke sinjalizuar një alarm të plotë civil. Zyrtarët grekë paralajmërojnë se muaji korrik, i njohur si më i nxehti në Greqi, sapo ka nisur dhe do të shoqërohet me erëra të fuqishme që favorizojnë përhapjen e zjarreve.
Flakët nuk kanë kursyer as vende të tjera në Europë. Në Turqi janë evakuuar dhjetëra mijëra persona, ndërsa në Francë dhe Spanjë janë shënuar viktima dhe dëme të konsiderueshme. Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja globale, e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, po sjell një sezon zjarresh gjithnjë e më të rrezikshëm dhe të shpeshtë në kontinentin e vjetër.