Ngjyra e pazakontë në ujërat e Currilave ngjall shqetësim mes pushuesve

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 03.07.2025, 17:21

Uji në bregdetin e Currilave në Durrës u pa sot me ngjyrë të verdhë, duke ngjallur dyshime për ndotje të mundshme dhe mungesë ndërhyrjeje nga autoritetet.

Pushues të shumtë që ndodheshin këtë të enjte në plazhin e Currilave në Durrës kanë vënë re një fenomen shqetësues: uji në breg ishte mbuluar nga një shtresë me ngjyrë të verdhë. Pamja e pazakontë është dokumentuar edhe përmes videove të regjistruara nga qytetarët.

Sipas një dëshmitari okular, fillimisht ngjyra e verdhë është vërejtur nën sipërfaqen e ujit, duke krijuar përshtypjen e turbullirës. Vetëm pas lëvizjes në drejtim të bregut, ai ka dalluar qartë grumbullimin e kësaj ngjyre në zonën ku uji përplaset me rërën.

Pushuesi ka theksuar se kjo nuk ishte diçka e zakonshme dhe se nuk është hera e parë që hasen problematika të tilla në këtë pjesë të bregdetit. Pamjet tregojnë qartë një shtresë të verdhë që mbulon sipërfaqen e ujit, duke ngritur dyshime për ndotje organike apo shkarkime të paautorizuara.

“Përshëndetje, si jeni? Sot Currila ishte, bregu komplet me ngjyrë të verdhë. Këtë e vura re brenda ujit në fillim, por nuk po kuptoja; m’u duk sikur ishte uji i turbullt. Kur lëviza, pastaj në breg pashë grumbullimin e ngjyrës së verdhë diku më tutje (video që të nisa).”

Deri më tani, nuk ka patur asnjë reagim apo sqarim zyrtar nga autoritetet lokale apo institucionet mjedisore në lidhje me këtë situatë. Kjo heshtje shton shqetësimin e qytetarëve për mungesën e monitorimit dhe masave të nevojshme në vijën bregdetare.

Plazhi i Currilave, një ndër destinacionet më të frekuentuara të Durrësit, përballet shpesh me problematika që lidhen me pastërtinë dhe menaxhimin e mbetjeve. Edhe këtë sezon veror, duket se sfidat për mbrojtjen e mjedisit mbeten të pazgjidhura.

Qytetarët kërkojnë një përgjigje të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, si dhe transparencë mbi shkakun e kësaj ndotjeje. Përndryshe, besimi i publikut në sigurinë e ujërave të Durrësit rrezikon të dëmtohet rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit