Prej disa orësh, banorët e disa zonave të ndryshme në Tiranë përballen me mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike, çka ka shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi të madhe. Denoncime të shumta janë bërë nga rruga e Elbasanit, rruga e Kosovarëve, zona e Farkës, si dhe nga lagje të tjera si Ali Demi, Varri i Bamit dhe Oxhaku. Banorët raportojnë ndërprerje të zgjatura dhe të shpeshta të energjisë, të cilat shoqërohen edhe me mungesë uji, duke vështirësuar përditshmërinë e tyre.
Në zonën e Ali Demit, qytetarët shprehen se janë përballur me më shumë se një orë mungesë dritash dhe uji, pa asnjë reagim nga ana e OSHEE-së. Ndërkohë, banorët e Varrit të Bamit denoncojnë një problem dyvjeçar me energjinë elektrike, duke theksuar se mungesat janë bërë aq të shpeshta sa janë kthyer në një stres të përditshëm për familjet me fëmijë e të moshuar. Në këtë zonë ndodhen gjithashtu institucione edukative si çerdhe, kopshte dhe shkolla, gjë që e bën situatën edhe më problematike.
Denoncimi 1
Pershendetje JOQ! Zona e Ali Demit ka gati 1 ore pa drita dhe pa uje asnje pergjigje nga osheja. Ju lutem ne qofte se keni mundesi postojeni kete shqetësim.
Denoncimi 2
Pershendetje! U be perafersisht dy vite qe tek zona e Varri Bamit kemi problem me dritat. Jemi ankuar disa here tek OSHE , por asnje ndryshim. Ky problem po behet i shpeshte sa na eshte kthyer ne shqetesim te madh, duke marr parasysh qe ne shtepi jemi me femije te vegjel dhe te moshuar. Pervec kesaj, ne kete zone ka cerdhe , kopesht dhe shkolle. Nuk e di dhe sa kohe do vazhdojme kështu.
Denoncimi 3
Pershendetje ketu te oxhaku cdo pes minuta na fikin dritat na dogjen dhe keto dy gjera qe kemi
Denoncimi 4
Pershendetje JOQ! Tek rruga Kosovareve ku metri katror shkon +5000€ jemi qe dy ore pa drita !