Prej disa orësh, zona të ndryshme të Tiranës po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta, kur mungesa e energjisë do të thotë edhe mungesë e ajrit të kondicionuar në banesa.
Banorë nga disa lagje kanë denoncuar për JOQ Albania se ndërprerjet kanë qenë të shpeshta dhe kanë zgjatur me orë të tëra. Zona të prekura përfshijnë rrugën e Elbasanit, rrugën e Kosovarëve, Farkën, Ali Demin, Varrin e Bamit dhe zonën e Oxhakut.
Në një reagim për redaksinë tonë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sqaroi se shkaku i situatës është një defekt në linjat e transmetimit, konkretisht në linjën 110 kV “Tirana 1” dhe në linjën 220 kV “Uzina e Traktorëve – Farkë”.
Sipas deklaratës së OST:
“Pershendetje! OST ka bere njoftim per mediat por edhe per qytetaret ku ka sqaruar se problemi i sotem lidhej me linjat e trasmetimit, nderhyrje te pa planifikuar, pra ka qen nje avari ne rrjetin e OST, Avaria ka ndodhur ne Linjen 110KV Tirana 1 dhe 220KV – Uzina Traktorave Farke. Faleminderit.”
Ndërkohë që punimet për riparimin e defekteve vijojnë, me sa duket banorët do të vijojnë të përballen edhe për pak kohë me mungesa të energjisë elektrike në zona të ndryshme të kryeqytetit.