Dy të vdekur dhe mbi 20 mijë banorë të izoluar në Katalonjë për shkak të një zjarri të përmasave të mëdha
Një zjarr i fuqishëm që ka përfshirë rajonin e Katalonjës në Spanjë ka shkaktuar dy viktima dhe ka detyruar mijëra njerëz të mbyllen në shtëpi, ndërsa flakët kanë përparuar me shpejtësi të frikshme. Rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë, pavarësisht përpjekjeve për ta vënë situatën nën kontroll.
Zjarri shpërtheu në zonën mes Sanaujas dhe Ribelles, për t’u përhapur me shpejtësi drejt qytetit Agramunt. Erërat e fuqishme që kanë arritur deri në 125 kilometra në orë e kanë përkeqësuar gjendjen, duke favorizuar përhapjen e flakëve në një territor të gjerë.
Sipas të dhënave paraprake, mbi 6.500 hektarë janë përpirë nga zjarri, ndërsa tymi i dendur portokalli ka mbuluar qiellin, duke errësuar rajonin dhe duke sjellë imazhe apokaliptike që kanë tronditur opinionin publik.
Autoritetet lokale kanë vënë në zbatim planin emergjent INFOCAT, i cili parashikon mobilizimin e burimeve të posaçme për menaxhimin e fatkeqësive natyrore gjatë verës. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe përdorimit të avionëve të specializuar, situata vijon të mbetet e paqëndrueshme.
Pamjet e publikuara nga terreni tregojnë ndërtesa të përfshira nga flakët dhe toka të djegura krejtësisht, duke përshkruar një panoramë që shumë e kanë krahasuar me një fund bote të vërtetë.
Shumica e banorëve të zonave të prekura janë urdhëruar të qëndrojnë brenda banesave të tyre, për shkak të rrezikut të lartë për jetën dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve për automjetet emergjente.
Zyrtarët paralajmërojnë se, edhe pse reshjet e para kanë ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së zjarrit, rreziku për rikthimin e vatrave të reja është ende prezent për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të pandalshme.