Zegjineja rikthehet si deputete në Kuvend, Maldrita Bardho e PS e lëshon “kolltukun” pa u ulur fare

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.07.2025, 21:58

Që politika shqiptare është një reality show me skenarë të çuditshëm, këtë e dinim. Por historia me Zegjine Çaushin po kalon çdo kufi fantazie.

Vetëm pak orë më parë, rinumërimi i votave në Fier i rrëzoi ëndrrën deputetes me energji të gjallë “TikTok-u”, Zegjinesë, e cila doli jashtë loje për vetëm 10 vota. Në vend të saj, mandatin e përfitoi Maldrita Bardho, një farmaciste e thjeshtë që, me sa duket, nuk ishte shumë e etur për kolltukun e deputetit, ose ndoshta mori ndonjë telefonatë...

Maldrita dha dorëheqjen nga mandati i deputetes, duke ia lënë me përulësi dhe “kënaqësi të thellë” vendin shoqes së partisë, Zegjinesë së famshme.

Në një postim të gjatë e të ëmbël në Instagram, që të kujton letrat e dashurisë së klasës së gjashtë, Maldrita thotë:

“E mora këtë vendim shumë më përpara rinumërimit... por tani u përforcua… Me shumë kënaqësi ia lë vendin mikeshës time Zegjine, që u sakrifikua për skuadrën... dhe meriton të jetë në Kuvend”.

Ajo që është më interesante është që dorëheqja u “mendua më përpara”, por në mënyrë të çuditshme u shpall vetëm pasi Zegjinea i humbi votat me rinumërim.

Si të mos mjaftonte e gjithë kjo, kujtojmë se në rinumërim Zegjinea humbi mandatin në emër të “drejtësisë elektorale”, por tani ajo rikthehet në parlament si një “feniks i rilindur nga hiri socialist”.

Në këtë vend, ku “kontributi”, “miqësia” dhe “vullneti i lirë” janë justifikime luksi për pazaret politike, jetojmë një reality show që quhet Parlament. Asgjë s’mbaron me votë, mbaron vetëm kur partia thotë: “Prisni, ndryshuam mendje. Ri-xhironi skenën!”

Sepse këtu jo populli, por skenari ka gjithmonë fjalën e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit