“Po lahemi me kova si në kohën e xhaxhit, as nevojat personale s’po i kryejmë dot”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.07.2025, 22:43

Një qytetar nga lagjja “5 Maji” në Elbasan i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar situatën skandaloze dhe absurde me të cilën po përballen banorët e kësaj zone, ku sipas tij uji i pijshëm mungon prej më shumë se një jave.

Ai shprehet se jeta e përditshme është bërë thuajse e pamundur, nga mëngjesi deri në darkë:

“Nuk bëjmë dot asgjë sepse nuk ka ujë! Lavatriçja nuk punon, në mëngjes duhet të presim 5-6 minuta që të mbushet një grusht ujë për të larë sytë. Nuk po kryejmë dot as nevojat personale në banjë!”

Mungesa e ujit ka shkaktuar sherr dhe tension në familje, për shkak të përdorimit të kovave me radhë.

“Po lahemi si në kohën e xhaxhit, po zihemi pse e zbraze kovën, pse s’më le ujë për të larë! Kemi shkuar në absurd!”

Sipas qytetarit, autoritetet justifikohen me punime në rrjet, por realiteti është shumë më ndryshe.

“Thonë se po bëhen punime, por uji nuk vjen gjatë gjithë ditës! Vetëm kur qytetarët telefonojnë dhe ankohen, e hapin për 45 minuta sa për të mbushur bidonat!”

Çfarë e bën situatën akoma më skandaloze është fakti se matësit e rinj të ujit janë vendosur për “furnizim 24 orë”, ndërkohë që në realitet banorët s’kanë as për të larë duart.

“Jemi taksapagues të rregullt, paguajmë çdo muaj ujë 24 orë dhe në realitet nuk kemi as 24 minuta ujë!”

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Elbasan, Ujësjellësit dhe institucioneve përkatëse të marrin urgjentisht masa për të zgjidhur këtë problem që prek mijëra qytetarë në një të drejtë themelore siç është uji i pijshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit