Toka po rrotullohet gjithnjë e më shpejt dhe dita e zakonshme 24-orëshe mund të humbasë 1.66 milisekonda në korrik ose gusht 2025, sipas parashikimeve të fundit të astronomëve
Në një kthesë të pazakontë të ritmit të planetit tonë, shkencëtarët kanë zbuluar se Toka po rrotullohet më shpejt se zakonisht, një dukuri që po shton kureshtjen dhe shqetësimin në radhët e komunitetit shkencor. Astronomët paralajmërojnë se dita më e shkurtër në histori mund të ndodhë në njërën nga këto data: 9 korrik, 22 korrik ose 5 gusht 2025.
Ky fenomen është nën vëzhgimin e afërt të astrofizikanit Graham Jones, i cili thekson se shpejtësia e rrotullimit të Tokës ka marrë hov që nga viti 2020, duke thyer rekorde të njëpasnjëshme. Sipas tij, dita do të shkurtohet me 1.66 milisekonda – një ndryshim thuajse i papërceptueshëm për syrin e lirë, por shumë i rëndësishëm për sistemet teknologjike.
Të gjithë po pyesin të njëjtën gjë: pse po ndodh kjo? Deri pak vite më parë, rrotullimi i Tokës po ngadalësohej për shkak të forcës gravitacionale të Hënës dhe ndikimit të baticave, por që nga 2020, dinamika është përmbysur në mënyrë misterioze.
Rrotullimi i Tokës ka qenë gjithmonë i paqëndrueshëm. Në vitin 2021, një ditë rezultoi 1.47 milisekonda më e shkurtër. Në 2022, kjo shifër u rrit në 1.59 milisekonda, ndërsa në 2023, dita humbi 1.31 milisekonda. Rekordi aktual i përshpejtimit i përket 5 korrikut 2024, me një ditë që ishte 1.66 milisekonda më e shkurtër se 24 orëshi klasik.
Matjet janë të sakta falë orëve atomike që kapin edhe ndryshimet më të vogla në kohëzgjatjen e një dite. Pa këto pajisje, ky ndryshim nuk do të kishte tërhequr vëmendje.
Shkencëtarët mendojnë se kjo përshpejtim mund të lidhet me pozicionimin e Hënës, e cila në disa periudha ndodhet më larg ekuatorit të Tokës, duke ndikuar në shpejtësinë e rrotullimit të saj. Megjithatë, ky shpjegim mbetet një nga shumë hipotezat që ende nuk janë verifikuar.
Historikisht, Hëna ka vepruar si një ngadalësues natyror i Tokës. Rreth 4.5 miliardë vjet më parë, një ditë në Tokë zgjaste vetëm disa orë. Falë tërheqjes së saj gravitacionale, dita është zgjatur deri në 24 orët që njohim sot.
Por çfarë ndodh nëse dita bëhet më e shkurtër? Në jetën e përditshme nuk ndiejmë ndonjë ndryshim, por në fushat si telekomunikacioni, navigimi dhe sinkronizimi i sistemeve globale, çdo milisekondë ka rëndësi. Mjafton një çrregullim minimal për të krijuar pasoja në rrjete dhe sisteme komplekse.
Në një horizont shumë të largët, studiuesit parashikojnë se Toka do të arrijë një ekuilibër me Hënën dhe do të ndalojë së rrotulluari përkundrejt saj. Në atë moment, do të shohim gjithmonë të njëjtën anë të Hënës – dhe batica do të zhduken përgjithmonë.
Megjithatë, kjo nuk është një çështje për t’u shqetësuar sot. Njerëzimi nuk do të jetë më në Tokë për të parë atë të ardhme të largët, kur Dielli të shuhet dhe planeti ynë të bëhet i pabanuar.
Edhe pse nuk na takon të përjetojmë fundin e rrotullimit të Tokës, është magjepsëse të shohim se si shkenca vazhdon të zbulojë ritmin e saktë të një planeti që ne e quajmë shtëpi. E ardhmja mund të na befasojë, por për momentin, mjafton të kuptojmë se edhe një ndryshim i vogël në kohë është një tregues i madh i kompleksitetit të universit.