Sot shënohet një vit nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, figura më përfaqësuese e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.
Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore. I lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ai nisi të shkruante që në rini, me vëllimin poetik “Frymëzimet djaloshare” në vitin 1954.
Pas studimeve në Tiranë dhe në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, Kadare u bë zëri më i fuqishëm i Shqipërisë në letërsinë botërore. Veprat e tij si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pallati i ëndrrave” apo “Kronikë në gur” janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe vlerësuar në mbarë botën.
Ai ishte kandidat për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, si “Prix Mondial Cino Del Duca” dhe “Man Booker International Prize”. Përmes penës së tij, Kadare solli në letërsi historinë, mitin, absurditetin dhe realitetin shqiptar në forma universale.
Vdekja e tij shënoi fundin e një epoke, por jo të ndikimit të tij në letërsi, kulturë dhe mendimin publik shqiptar. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta, ai përkujtohet me nderime në Shqipëri e jashtë saj, si simbol i pashuar i mendimit dhe fjalës së lirë.