Një punonjës i forcave zjarrfikëse të Pogradecit ka mbetur i shokuar mëngjesin e sotëm kur ka shkuar në punë.
ZIKO, qenushi për të cilin ai u përkujdes që kur ishte një muajsh, ditën e sotme kishte ngordhur pasi persona të paidentifikuar dyshohet se e kanë helmuar. Çdo mëngjes, zjarrfikësit priteshin me përshëndetje nga qenushi që ishte shumë i dashur për të gjithë repartin e zjarrfikëses.
“Ne e gjetëm atë të braktisur në një kazan mbeturinash. Ai ishte i vogël vetëm 1 muaj, e rritëm dhe u kujdesëm për të,” thotë efektivi i pikëlluar. “Sa herë që dilnim për çdo urgjencë, kur ktheheshim vinte na përshëndeste sikur donte të na thoshte: Jeni plagosur apo lënduar? Ishte shumë i dashur me të gjithë ne. Ziko, ti ishte aq i mirë dhe i pafajshëm, por njerëzit e lig të morën jetën pa asnjë arsye.”
Zjarrfikësi kërkon që ky rast të bëhet publik, për të kërkuar nga autoritetet më shumë përkujdesje për këto kafshë të pafajshme.
“Ziko, nga sot ti nuk do të jesh më mes nesh, do na mungosh i dashur ziko. Ju lutem publikojeni rastit e helmimit të qenit tonë. Për ndërgjegjësim në përkujtim të një gjallese të pafshajshme dhe besnike. Ja ku është qeni nën të njëjtën makinë që dha shpirt. Unë e rrita si fëmijë.”
Ky rast kthen edhe një herë tjetër vëmendjen tek përkujdesja që duhet të tregojmë për kafshët e pafajshme, ndërkohë që autoritetet duhet të reagojnë me të gjithë forcën e tyre për të identifikuar dhe ndëshkuar keqtrajtuesit e tyre.