Google po prezanton një funksion të ri sigurie në Android 16 që zbulon mundësinë që dikush po përgjon telefonin tuaj.
Google ka njoftuar një përditësim të rëndësishëm sigurie në Android 16. Sistemi operativ do të jetë në gjendje të njohë kur telefoni juaj është i lidhur me një stacion bazë të rremë, gjë që mund të tregojë një përpjekje për të përgjuar ose ndjekur vendndodhjen tuaj, transmeton Telegrafi.
Ky funksion është veçanërisht e rëndësishme sepse pajisjet e ashtuquajtura “stingray”, të cilat imitojnë kullat e celularëve, mund ta mashtrojnë telefonin tuaj që të lidhet me një rrjet të pasigurt – duke u lejuar sulmuesve potencialë të hyjnë në thirrjet, mesazhet dhe të dhënat e tjera tuaja.
Një opsion i ri i quajtur “siguria e rrjetit celular” do të shfaqet në cilësimet e telefonit tuaj, ku përdoruesit do të jenë në gjendje të aktivizojnë njoftimet e rrjetit.
Kur ky funksion të aktivizohet, Android do t’ju paralajmërojë nëse telefoni juaj kalon në një rrjet të pasigurt ose nëse rrjeti kërkon të dhëna të ndjeshme si numrat IMEI ose IMSI.
Do të ketë gjithashtu një opsion për të çaktivizuar lidhjen 2G, e cila është më e ndjeshme ndaj sulmeve të tilla.
Edhe pse kjo veçori vjen me Android 16, nuk do të jetë e disponueshme në të gjitha pajisjet. Do të jetë e kufizuar në telefonat që vijnë me harduerin më të fundit që mbështet Radio HAL 3.0.
Kjo do të thotë që shumica e pajisjeve ekzistuese, madje edhe me Android 16, nuk do të jenë në gjendje ta përdorin këtë opsion.
Google thekson se veçoria do të çaktivizohet pas instalimit dhe përdoruesit do të duhet ta aktivizojnë vetë në cilësime.
Ky opsion pritet të jetë i disponueshëm së pari në telefonat Google Pixel, ndërsa prodhuesit e tjerë duhet ta zbatojnë atë në përputhje me planet e tyre të softuerit.