Netanyahu pritet në Uashington mes presionit të Trump-it për armëpushim në Gaza

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 22:56

Donald Trump-i shton trysninë ndaj Izraelit për një marrëveshje armëpushimi dhe fton Netanyahu-n në një takim në Shtëpinë e Bardhë javën që vjen.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të udhëtojë të hënën e ardhshme drejt Uashingtonit për një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, i cili po intensifikon përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

Burime nga administrata amerikane, që preferuan të mbeten anonime pasi vizita nuk është bërë ende zyrtare, konfirmuan se ftesa për takimin është në kuadër të një presioni të ri të Trump-it ndaj udhëheqjes izraelite për të ndalur luftimet në Gaza dhe për të finalizuar një marrëveshje me Hamasin.

Vizita e Netanyahu-t vjen menjëherë pas asaj të ministrit izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, i cili këtë javë zhvilloi takime me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington për çështje që lidhen me Gazën, Iranin dhe tema të tjera rajonale me rëndësi strategjike.

Trump ka dhënë sinjale publike se prioriteti i tij është ndalja e përleshjeve midis Izraelit dhe Hamasit. Ai shprehu besimin se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet brenda javës së ardhshme, por nuk dha detaje konkrete që mbështesin këtë optimizëm.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të hënën se administrata Trump po mban kontakte të vazhdueshme me udhëheqjen izraelite dhe se zgjidhja e konfliktit në Gaza mbetet një ndër prioritetet kryesore të presidentit.

“Pamjet që vijnë nga Izraeli dhe Gaza janë tronditëse. Presidenti dëshiron që kjo gjakderdhje të marrë fund sa më parë,” deklaroi Leavitt-i, duke shtuar se qëllimi është shpëtimi i sa më shumë jetëve në të dy anët e konfliktit.

Sipas saj, po bëhen përpjekje për të finalizuar edhe detajet e vizitës së ardhshme të Netanyahu-t në Uashington për një tjetër takim me Trump, por deri më tani nuk është caktuar një datë përfundimtare. Lajmi për udhëtimin u raportua fillimisht nga Axios.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit