Shqipëria është futur zyrtarisht në një krizë të rëndë energjetike, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpenzuar 26.5 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike vetëm për një javë, me çmime që arrijnë deri në 135 euro/MWh. Në të njëjtën kohë, janë vënë në punë me kapacitet të lartë edhe dy anijet termocentrale në Vlorë.
Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, rezerva hidrike në vend ka rënë ndjeshëm: është 31% më e ulët se mesatarja shumëvjeçare dhe 42% më pak se vjet në të njëjtën periudhë. Por pyetja që ngrihet është: pse nuk u morën masa paraprake, kur e gjithë Europa po përballet prej muajsh me thatësira të zgjatura dhe temperatura ekstreme?
Kjo paaftësi menaxheriale po i kushton qytetarëve miliona euro. Vetëm për javën në vijim janë blerë:
47 mijë MWh energji me dorëzim të menjëhershëm
145 mijë MWh të tjera me dorëzim deri më 31 korrik
Me çmim mesatar 132–135 euro/MWh, kostoja totale ka kapur shifrën 26.5 milionë euro. Dhe ky është vetëm një ankand.
Përveç importit, KESH ka vënë në punë dy anijet termocentrale në Vlorë, të cilat prodhojnë energji në oraret e mbrëmjes, kur konsumi është më i larti dhe kur panelet diellore dalin jashtë loje. Vetëm në katër muajt e parë të vitit, ato kanë prodhuar mbi 41 mijë MWh, por tani pritet të kapin shifra rekord.
Por edhe këtu lindin dyshime:
Sa na kushton prodhimi nga anijet?
A ka transparencë për karburantin që përdorin?
Kush i mirëmban dhe kush përfiton nga operimi i tyre?
Në vend që të kishte një strategji të qëndrueshme për investime në energji të rinovueshme dhe diversifikim, qeveria po zgjidh situatën me ndërhyrje të shtrenjta, të menjëhershme dhe pa asnjë garanci afatgjatë. Me çmime që në tregjet ndërkombëtare janë relativisht të stabilizuara, blerja me çmime kaq të larta dhe në sasi kaq të mëdha ngjall dyshime të forta për abuzime dhe vjedhje të fshehur pas krizës energjetike.
A ka hetuar ndonjë institucion përse po blihet energji në këtë formë urgjente?
A janë bërë auditime mbi kostot dhe kontratat?
Kush i fiton këto tenderë dhe si janë përzgjedhur?
Në një kohë kur qytetarët përballen me fatura të larta dhe paralajmërime për rritje të mëtejshme, mbetet e paqartë nëse paratë e buxhetit po përdoren për të zgjidhur një krizë reale – apo për të financuar interesa të fshehta në emër të saj.