Skandali i ri në Bulqizë, klientelizëm dhe mungesë transparence i Agollit të FSHZH-së në një projekt prej miliona eurosh

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 20:17

Qeveria ka miratuar një tender të ri prej 2.7 milionë eurosh në Parkun Retro të Bulqizës, një projekt që ngre dyshime për favorizime dhe mungesë të plotë transparence në procesin e ndarjes së fondeve publike.

Një zonë e vjetër ushtarake në Bulqizë është shndërruar në një tjetër vatër investimesh luksoze me fonde shtetërore. Nën maskën e zhvillimit turistik, projekti "Parku Retro" po përthith miliona euro nga buxheti i shtetit. Pas fazës së parë që kapte vlerën 3.3 milionë euro, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nën drejtimin e Dritan Agollit, ka hapur një tender të ri me vlerë 2.7 milionë euro. Kjo e çon totalin e investimit në rreth 6 milionë euro, me një procedurë që i ka të gjitha gjasat të përfundojë në duart e një kompanie tashmë të lidhur me projekte të mëparshme.

Dritan Agolli, i cili më shumë njihet për lidhjet e tij familjare me biznese në sektorin e mikpritjes sesa për ndonjë transparencë institucionale, vijon të nënshkruajë projekte që krijojnë dyshime të thella për konflikt interesi. Djali i tij zotëron një restorant luksoz në Hamallaj, ndërsa të afërm të tjerë të tij janë të përfshirë në aktivitete fitimprurëse që shpesh ndërlidhen me lokacione të zhvilluara me fonde publike.

Dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se projekti përfshin rikualifikimin e "Retro-Hotel", i cili do të ngrihet në ish-Shtëpinë e Oficerëve, si dhe rindërtimin e tetë banesave dykatëshe në të njëjtën zonë. Këto objekte do të shndërrohen në dhoma hoteliere të stilit retro, me ambiente të përbashkëta dhe një hapësirë muzeale që evokon periudhën komuniste. Nuk mungojnë as kafeteritë dhe hapësirat për administratë, gjithçka e parashikuar për t’u kthyer në një destinacion turistik me pretendime kulturoro-nostalgjike.

Por ajo që mbetet e paqartë është arsyeja përse, brenda më pak se një viti nga tenderi i parë, është hapur një procedurë e re me një fond të konsiderueshëm shtesë. Në dokumentet e vitit 2024, FSHZH-ja kishte shpallur si fituese kompaninë “Ulza” për lotin e parë, ndërsa nuk ka asnjë sqarim se si lidhet ky tender i ri me projektin ekzistues. Mungesa e shpjegimeve, ndryshimi i shpeshtë i fondeve dhe zgjatja e afateve ushqejnë bindjen se kemi të bëjmë me një tjetër rast klientelizmi dhe mungese kontrolli institucional.

Duke parë prirjen e përsëritur të Agollit për të realizuar projekte në zonat ku më pas lulëzojnë bizneset familjare, rritet ndjeshëm shqetësimi për një politikë zhvillimi që nuk ndjek interesin publik, por vetëm interesat e një rrethi të mbyllur përfituesish. Bulqiza, si shumë zona të tjera me potencial turistik, nuk meriton të trajtohet si një laborator klientelizmi qeveritar, por si një hapësirë për zhvillim të barabartë dhe me llogaridhënie të plotë.

Në mungesë të hetimeve të pavarura dhe një transparence të vërtetë institucionale, fondet publike vijojnë të shpërndahen në mënyrë selektive, duke i larguar gjithnjë e më shumë qytetarët nga besimi në institucionet shtetërore dhe në mënyrën se si trajtohen pasuritë e përbashkëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit