Eljo në gjendje kritike në Itali, familja shqiptare bën apel për ndihmë urgjente

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 17:06

Një 12-vjeçar ndodhet në koma në një spital italian dhe ka nevojë për 12 mijë euro për një operacion jetik në tru – familja kërkon ndihmë nga shqiptarët

Një histori prekëse vjen nga një 17-vjeçar shqiptar, i cili ka bërë një thirrje publike për ndihmë, për të shpëtuar jetën e të vëllait të tij 12-vjeçar, Eljo Përmetit. Ai ndodhet në gjendje kome prej gjashtë ditësh, pas një hemorragjie të rëndë në tru.

Sipas mesazhit të djaloshit, Eljo është shtruar në spitalin “San Giovanni” në Itali, ku ndodhet bashkë me nënën dhe tezen e tij. Mjekët kanë konstatuar se gjendja e tij është përkeqësuar dhe i nevojitet një ndërhyrje kirurgjikale urgjente në kokë, që kap një vlerë prej 12 mijë eurosh.

Familja nuk ka asnjë mundësi financiare për të përballuar këtë shpenzim. Tentuan të merrnin kredi, por nuk u pranua për shkak të mungesës së të ardhurave të mjaftueshme. Djali 17-vjeçar, i cili ndodhet i vetëm dhe pa praninë e babait, tregon se është i detyruar t’i drejtohet publikut për ndihmë.

“Unë jam një djalë 17-vjeçar dhe jam një rast urgjent. Vëllai im Eljo, 12 vjeç, para gjashtë ditësh ka rënë në gjendje kome për shkak të një hemorragjie në tru. Ai ndodhet aktualisht në Spitalin “San Giovanni” në Itali, së bashku me nënën dhe tezen. Nuk kemi asnjë njeri tjetër pranë.”

“Mjekët, pasi e kanë parë dhe po i japin diagnozat e nevojshme, na kanë informuar se gjendja e tij po përkeqësohet dita-ditës. Ata kanë theksuar se duhen 12 mijë euro për një operacion të ndërlikuar, që duhet realizuar sa më shpejt. Ne nuk kemi asnjë mundësi financiare për ta mbuluar këtë shpenzim. U përpoqëm të marrim kredi, por nuk na e dhanë sepse nuk kemi të ardhura të qëndrueshme.”

“Me lot në sy, po ju drejtohem për ndihmë. Po kërkoj mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, në çdo mënyrë që të mundeni. Nuk mund të hapim një faqe GoFundMe, sepse nuk kemi llogari bankare dhe nuk kemi dikë të afërt jashtë vendit që mund të na ndihmojë.”

“Ju lutem nga zemra: bëjeni këtë rast publik. Përhapeni. Kontaktoni me njerëz që kanë ndihmuar më parë raste të tilla. Nuk po kërkoj mëshirë, por po përulem për të shpëtuar jetën e vëllait tim, që është edhe pjesë e jetës time. Ju lutem, më ktheni përgjigje,” shprehet ai. Ai shton se nuk mund të hapin një llogari në platformën “GoFundMe” për shkak të mungesës së një njeriu të besuar jashtë vendit.

Për këtë arsye, kërkon publikimin e rastit në mënyrë që kushdo që ka mundësi, të kontribuojë qoftë edhe me një shumë të vogël për shpëtimin e Eljos. Ai ofron edhe një numër kontakti për personat që duan të ndihmojnë drejtpërdrejt.

Në mesazhin që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, janë bashkangjitur edhe dy foto të vogëlushit, që aktualisht lufton për jetën. Nëna dhe tezja qëndrojnë pranë tij në Itali, ndërkohë që ai ka nevojë për çdo sekondë që të mos jetë e vonë për ndërhyrjen.

“Unë nuk kam babain. Pranë vëllait jam vetëm unë, nëna dhe motra e nënës, të cilat ndodhen në Itali, pranë Eljos. Mjeku na ka thënë se duhen 12 mijë euro për një operacion në kokë, një ndërhyrje shumë delikate, dhe ditët nuk premtojnë. Është një rast urgjent dhe duhet vepruar sa më shpejt.”

“Ne nuk kemi mundësi ta mbulojmë këtë shpenzim. E vetmja gjë që dua nga ju është të publikoni një lajm me fotot që do t’ju dërgoj, ku të theksohet se Eljo është në gjendje kome dhe se duhen 12 mijë euro për ndërhyrjen kirurgjikale. Mund të lini edhe numrin tim më poshtë për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë,” përfundon thirrjen djali i vogël.

Apeli i tij është një thirrje e fortë për ndihmë që nuk duhet të mbetet pa përgjigje. Numri i tij është +355692996553.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit