Eltar Deda, administratori i kompanisë Albpetrol, 100% nën pronësinë e MIE ka reaguar për kthimin e lumit Vjosa në moçal llumi vdekjeprurës për ekosistemin e egër, duke ia vënë fajin vapës...
Në vend që të pranojë fajin për derdhjen masive të hidrokarbureve në lumin Vjosë, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, kompania shtetërore Albpetrol ka zgjedhur të publikojë një deklaratë që i përngjan një shkrim PR e jo një reagim serioz të një kompanie përgjegjësi-marrëse.
Pamjet e publikuara gjerësisht në rrjet nga aktivistët e EcoAlbania dhe RiverWatch tregonin kthimin e lumit në baltë të zezë, derdhje të hidrokarbureve dhe florë e faunë të pajetë përgjatë brigjeve të Vjosës.
Katastrofa mjedisore ka ngritur alarmin ndër qytetarët e shqetësuat për gatin e lumit me pasoja që shkojnë përtej zonës së ndotur. Aktivistët e kanë cilësuar këtë si një “krim të përsëritur ndaj natyrës”, që po zhvillohet në heshtje prej vitesh.
Por çfarë tha Albpetrol? Në vend që të marrë përgjegjësinë për ndotjen dhe të ndërmarrë hapa konkretë për rregullimin e situatës, Albpetrol ka zgjedhur të justifikojë ngjarjen duke ia atribuar rrjedhjen “temperaturave të larta”, që sipas saj bëjnë të shpërthejnë mbetjet e vjetra të grumbulluara prej dekadash. Paralelisht, kompania pranon se përroi i Gorishtit vazhdon të jetë i mbushur me mbetje të papërpunuara, ndërsa procesi i pastrimit po zvarritet për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme.
“Vendburimi i Gorisht-Koculit, i publikuar ditët e fundit në media, është një vendburim 60-vjeçar si pjesë e industrisë së nxjerrjes së naftës në këtë zonë. Gjatë aktivitetit të kësaj zone, për 6 dekada me radhë, ky vendburim ka prodhuar mbetje të shumta, të cilat deri para pak vitesh nuk janë trajtuar sipas protokolleve teknike, të cilat ne zbatojmë rigorozisht sot për eliminimin e tyre. Fatkeqësisht kjo njollë aktivizohet në temperatura të larta, pasi gjatë pjesës tjetër të vitit nuk ka rrjedhje të këtyre mbetjeve.”