Kanadaja tërhiqet përballë presionit amerikan, kërkon paqe tregtare me SHBA-në

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 11:36

Heqja e taksës dixhitale nga Kanadaja synon rikthimin e dialogut tregtar me SHBA-në dhe shmangien e përshkallëzimit të tensioneve ekonomike

Pas një periudhe tensioni të lartë, qeveria kanadeze ka vendosur të heqë taksën për shërbimet dixhitale që prek kompanitë teknologjike amerikane. Ky hap erdhi si një përpjekje për të zbutur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për të rifilluar bisedimet tregtare, të cilat presidenti Donald Trump i kishte ndërprerë si reagim ndaj politikës tatimore të Otavës.

Ministri i Financave i Kanadasë, Francois-Philippe Champagne, njoftoi vendimin duke theksuar se heqja e përkohshme e kësaj takse është një lëvizje për të hapur rrugën e dialogut me Uashingtonin. Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë, qëllimi është të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me përfitime të ndërsjella deri më 21 korrik 2025.

Presidenti Trump e kishte cilësuar taksën si një “sulm të hapur dhe të drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së”, duke pezulluar menjëherë çdo komunikim tregtar me Kanadanë. Të dielën, ai zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin kanadez Mark Carney, ku të dy ranë dakord për rifillimin e bisedimeve në kuadër të afatit të vendosur gjatë samitit të G7 në Kananaskis.

Takimi i fundit mes Carney dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua në maj, dhe ndonëse u përshkrua si i përzemërt, mbeti i tensionuar në thelb. Gjatë samitit të G7 në Alberta, liderët vendosën një afat 30-ditor për të gjetur një gjuhë të përbashkët për tregtinë, një objektiv që varet tani nga heqja e taksës dixhitale.

Taksa e planifikuar nga Kanadaja kishte parashikuar një tarifë prej 3% mbi të ardhurat e kompanive si Amazon, Google, Meta, Uber dhe Airbnb, që gjenerohen nga përdoruesit kanadezë. Ajo do të zbatohej retroaktivisht dhe llogaritej të sillte një faturë totale prej rreth 2 miliardë dollarësh për kompanitë amerikane.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar nëpër tensione të herëpashershme gjatë administratës Trump. Presidenti amerikan ka zbatuar tarifa të larta doganore për çelikun, aluminin dhe automjetet kanadeze. Për më tepër, Kanadaja dhe Meksika janë përfshirë në një regjim të veçantë tarifash, të justifikuara nga SHBA-ja si masa për të frenuar trafikun e fentanilit.

Trump ka lënë të kuptohet më parë se Kanadaja, për shkak të afërsisë së saj ekonomike, mund të trajtohej si një shtet amerikan. Këto qëndrime kanë krijuar frikë për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës tregtare, të cilën Kanadaja po përpiqet tani ta shmangë me këtë tërheqje strategjike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit