Zjarr masiv në Izmir, dhjetëra lagje në flakë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 11:04

Izmiri përjeton orë paniku teksa zjarret përfshijnë zona të banuara, me erëra të fuqishme që përhapin flakët në katër rajone

Turqia është përfshirë nga një valë intensive zjarresh pyjore, me rajonet e Izmirit, Denizlit, Aydinit dhe Manisës të goditura rëndë gjatë 24 orëve të fundit. Në këto zona, situata ka dalë jashtë kontrollit, duke krijuar skena dramatike dhe evakuime masive.

Në qytetin bregdetar të Izmirit, flakët kanë përfshirë kufirin mes Menderesit dhe Seferihisarit, duke u përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara. Erërat e forta, që kanë arritur deri në 120 kilometra në orë, kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke i bërë përpjekjet për shuarjen e flakëve jashtëzakonisht të vështira.

Për pasojë, banorët janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Të paktën 10 lagje janë evakuuar, përfshirë komunitete që ndodhen në kodra të rrezikuara nga përhapja e zjarrit. Pamjet nga terreni tregojnë qiej të mbuluar nga tymi dhe linja të gjata flakësh që rrethojnë ndërtesat.

Një moment rrëqethës u shënua në Seferihisar, ku një i moshuar në karrocë shpëtoi për mrekulli pak para se shtëpia e tij të përfshihej nga flakët. Ai u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Paralelisht me përpjekjet për kontrollimin e zjarrit, autoritetet kanë nisur hetime për zjarrvënie të qëllimshme. Prokuroria e Izmirit ka konfirmuar arrestimin e një personi që dyshohet se ka përdorur benzinë për të ndezur zjarrin. Ndërkohë, 17 persona të tjerë janë ndaluar për hetim lidhur me zjarret që shpërthyen ditët e fundit.

Shkaqet e plota mbeten ende të paqarta, por dyshimet për sabotim kanë marrë peshë pas analizave fillestare në terren. Hetuesit po analizojnë lëvizjet e të dyshuarve në zonat e goditura dhe përdorimin e substancave djegëse.

Ndërkohë, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Raportohet për shtëpi të shkrumbuara, toka të djegura dhe bllokim të rrugëve nga tymi i dendur. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta po e ushqejnë më tej përhapjen e zjarreve.

Banorët e Izmirit dhe zonave përreth janë të shqetësuar për një përsëritje të tragjedive të mëparshme me zjarre në Turqi, duke kërkuar ndërhyrje më të shpejtë për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Kjo ngjarje e rëndë ka rikthyer në vëmendje nevojën për masa parandaluese më efektive për të mbrojtur zonat pyjore dhe komunitetet përreth.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit